“Unë jam ai që të pret çdo ditë tek dera e shtëpisë. Arrij ta dalloj zhurmën e makinës tënde ndër mijëra makina të tjera. Hapat e tu kanë një zhurmë magjike, si një muzikë për veshët e mi. Zëri yt është një tingull lumturie për mua, edhe pse ndonjëherë në atë zë, arrij ta ndiej që je i mërzitur. Kur të shoh të lumtur, lumturohem edhe unë.
Nuk arrij ta dalloj aromën e mirë nga aroma e keqe, por di që parfumi yt është më i miri. Disa njerëz më pëlqejnë ndërsa disa jo, kurse prania jote është ajo që më lumturon pamasë. Zgjimi yt është një zgjim edhe për mua. Kur të shoh duke fjetur, më dukesh si Zot. Shikimi yt është si një rreze dielli për mua, edhe në ditët me shi. Duart e tua mbi trupin tim kanë lehtësinë e paqes. Kur ti largohesh nga shtëpia, gjithçka që lë pas, është vetmia.
Dhe unë të pres gjithmonë… Pres të dëgjoj zhurmën e makinës tënde, të hapave të tu, të zërit tënd, të të qeshurave të tua. Pres të ndiej aromën tënde, të shoh sytë e tu, të ndiej duart e tua. Në këtë mënyrë, e di se do të lumturohem. Jam unë ai që të pret dhe do të presë gjithmonë. Jam qeni yt!”.
Qentë janë realisht miqtë më besnikë që mund të kemi. Arrijnë t’i ndiejnë emocionet tona dhe na gjenden pranë në çdo moment të jetës sonë. “Rrëfimi” i mësipërm është si një “këmbanë” për të gjithë ata që kanë një qen në shtëpi, apo një kafshë tjetër shtëpiake. Nuk ka dashuri më të sinqertë se ajo e kafshëve shtëpiake, ndaj duhet të përkujdesemi maksimalisht për to.
Burimi: bota.al
