Në një nga ndërtesat më të vjetra shkodrane në rrugën e Gjuhadolit, madhështore për nga arkitektura, banon familja e profesor Kolë Nukut. Zonja e tij, Meri, ka kohë që ka nisur përgatitjet për festën e Pashkëve dhe kur përmendim këto të fundit, mendja na shkon tek simboli i tyre, vezët, që përfaqësojnë jetën dhe ngjyra e kuqe, sakrificat. Meri ka rreth 60 vite që zbukuron vezët e Pashkëve, fillimisht nisur si një pasion i thjeshtë, trashëguar nga babai i saj por me kalimin e viteve zbukurimin e tyre e ka kthyer në një art të mirëfilltë.
Mënyra tepër e veçantë e zbukurimit të vezëve të Pashkëve, ka tërhequr fillimisht vëmendjen e miqve të Merit e më pas edhe të njerëzve të tjerë duke bërë që nga një pasion i thjeshtë të shndërrohet në një punë që kërkon kujdes dhe elegancë. Meri nuk e nis proçesin e zbukurimit të vezëve 3 apo 4 ditë para festës por shumë kohë përpara, madje muaj.
Klientët kanë preferencat e tyre të lloj-llojshme në lidhje me zbukurimin e vezëve të Pashkëve por më së shumti janë fëmijët që i dashurojnë ato. Festa e Pashkëve ndër vite ka ruajtur traditën e saj por atmosfera duket se ka ndryshuar. Ajo e pranon se me largimin e të rinjve, familjet e përjetojnë më vakët atmosferën e festës.
Meri shprehet se këtë pasion të bukur ja ka ngjizur edhe së bijës, e cila ndonëse jashtë Shqipërisë kujdeset që ta ruajë këtë traditë të bukur familjare.
©️ Marjo Gjini





