Edmondi dhe Emirjeta nuk janë një çift i zakonshëm dhe e veçanta e tyre qëndron në faktin se ata ushtrojnë të dy sëbashku sportin e bodybuilding, i konsideruar një sport burrëror. Fillimisht ishte Edmondi, ai i cili zgjodhi të merrej me këtë sport dhe Emirjeta, bashkëshortja e tij do ta mbështeste në këtë rrugëtim jo të lehtë.
Pjesëmarrjet e vazhdueshme në garat e bodybuilding do të kultivonin tek Emirjeta dëshirën për t’u marrë me këtë sport.
Përtej sakrificave që kërkon përfshirja intensive në këtë sport, në mënyrë të veçantë për Emirjetën e cila duhet të kujdeset pak më shumë edhe për tre fëmijët, përsëri nuk i është dorëzuar asnjë sfide apo dileme për t’u larguar nga bodybuilding. Prej vitesh të dy bashkëshortët ndjekin një regjim rigoroz për të patur rezultate sa më të larta dhe ato në fakt nuk kanë munguar.
Edmondi dhe Emirjeta nuk e kanë patur të lehtë ta ndjekin këtë rrugë por ata thonë se pasioni ka arritur të triumfojë përtej vështirësive.
Në dallim nga bashkëshorti i saj, Emirjeta tregon se paragjykimi nuk duhet të ketë vend nëse vendos të merresh me këtë sport.
Edmondi nuk harron të japë mesazhin dhe thirrjen e tij për të rinjtë që duhet të mos e nënvlerësojnë aktivitetin fizik.
Të dy ata ushtrohen rregullisht në kërkim të garave dhe sukseseve në këtë sport duke ndikuar edhe tek fëmijët e tyre e në mënyrë të veçantë tek më i madhi prej tyre, i cili duket se do të vijojë në gjurmët e prindërve të tij.
©️ Marjo Gjini
