Shkodra dhe fotografia duket sikur janë në një lidhje të pandarë emocionale dhe historike me njëra-tjetrën dhe në mënyrë të veçantë ne e lidhim zhvillimin e fotografisë në këtë qytet me dinastinë e Marubëve që i ka fillesat në gjysmën e viteve 1800. 
Kjo pjesë e bukur e historisë së fotografisë shqiptare prej dy ditësh po vjen në formën e një ekspozite me natyrë fiziko-emocionale që ka të bëjë me ekspozimin e objekteve dhe mjeteve të punës, përmes të cilave Marubët kthenin në art të mirëfilltë fotografitë e shkrepura prej tyre. 
Orestia Kapidani është kuratorja e kësaj ekspozite të veçantë që po mbahet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi me titullin “Expose”.
Objektet që ekspozohen janë mbi njëshekullore dhe vazhdojnë deri në vitet ’80 ndërsa pjesë e “Expose” janë edhe disa fotografi që kanë fiksuar çastet e punës së Marubëve në atelienë e tyre.
Kjo ekspozitë me natyrë historike pritet të shtojë interesin jo vetëm të shkodranëve por edhe të turistëve që vizitojnë muzeun. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në korrik dhe do të jetë e vizitueshme për të gjithë.
Për të ndjekur intervistën me kuratoren e ekspozitës, Orestia Kapidanin klikoni këtu.