Proçesi i përgatitjes së ashures fillon një ditë përpara se të kujtohet kjo festë, ku tregohet një kujdes i veçantë që të përgatitet një sasi e mjaftueshme për besimtarët dhe vizitorët.
Dita e dhjetë, që është dita e fundit e muajit Muharrem, është edhe dita e fundit në të cilën mbahet zi për dëshmorët e Qerbelasë. Në mbrëmje besimtarët bektashinj, në teqe, mblidhen dhe hedhin grurin në kazanë të mëdhenj, për të përgatitur ashuren, për besimtarët dhe njerëzit e tjerë që vizitojnë teqetë. Sipas traditës, të gjithë tregojnë kujdes, ndërsa për të ftuarit, mysafirët dhe besimtarët shtrohet një darkë e madhe, në Selinë e Kryegjyshatës, por edhe në teqetë e tjera të vendit.
Për të plotësuar detyrimin dhe simbolikën që ka kjo ëmbëlsirë, ashurja duhet të përbëhet nga 72 lloje produktesh, ndërsa në mungesë të tyre, hidhet mjaltë në sasi më të mëdha. Ashurja përgatitet me ujë, grurë, misër, fasule, thjerrëza, arra, bajame, lajthi, fiq dhe rrush të thatë, shegë, banane, kanellë dhe në fund mjaltë. Ndërsa sipas traditës dhe si obligim ndaj dëshmorëve të Qerbelasë, çdo besimtar bektashi ka për detyrim të përgatisë ashure në shtëpi. Ndërsa si simbolikë të saj, kjo ditë ka edhe ofrimin e ëmbëlsirës dhe kujdesin që duhet treguar për të varfërit.
Pasi përgatitet ashurja, shtrohet një darkë për mysafirët dhe besimtarët. Në ceremoninë e fundit këndohen lutje dhe rite të tjera fetare, ku kjo lutje nga besimtarët quhet lutja e bukës. Pas përfundimit të darkës, në orë të vona të natës fillon hedhja e ashures nëpër gota të vogla, ku do të jetë e gatshme për t’u shpërndarë. Të nesërmen e kësaj dite bëhet ceremonia dhe ashurja shpërndahet për besimtarët. Ndërkohë, që për besimtarët, por jo vetëm, ashurja vazhdon të shpërndahet edhe dy-tre ditë pas përfundimit të festës.
