Muaji mars bashkë me ardhjen e pranverës ka sjellë edhe artin e pikturës më afër publikut shkodran. Bardha Buza vjen nga Gjakova dhe ajo për herë i prezanton shkodranëve një ekspozitë me titullin “Lulet e Marsit”. Mesazhi që kërkon të përcjellë artistja lidhet më së shumti me shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë me ngjarjet e ndodhura në Kosovë dhe luftën përgjatë muajit mars në vite të ndryshme por ky mesazh është sa i veçantë aq edhe aktual për realitetin në të cilin ndodhet bota sot kur po vazhdon të përjetojë dramat e luftës në Ukrainë.
E parë në këndvështrimin e artistes shkodrane Rozafa Shpuza, “Lulet e Marsit” kërkon t’i lidhë edhe me Shkodrën që më së shumti i ka kënduar luleve dhe ka edhe një festë kushtuar luleve në këtë qytet.
“Lulet e Marsit” përmban gjithsej 22 punime në pikturë që ndërthurin bukur abstrakten me realitetin përmes ngjyrave me kontraste të theksuara. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy javë me radhë në mjediset e galerisë “ODA” në Shkodër.