Me rastin e festave të 7 dhe 8 marsit, biblioteka e qytetit “Marin Barleti” zgjodhi të kishte pjesë të saj një nga zërat e gjallë emblematikë të Radio Shkodrës, Merita Sokoli Çobën si një nga gratë e suksesshme të qytetit.
“Një grua shkëlqen për fëmijët e saj, familjen e saj dhe komunitetin”, ishin këto fjalët e para të protagonistes së këtij takimi, e gjendur dhe e rrethuar mes miqsh dhe figurave të njohura të Shkodrës.
Mes fjalëve, ku i lexohej qartë emocioni, Merita Sokoli Çoba u ndal fillimisht tek origjina qytetare e familjes së saj Sokoli duke mos lënë pa përmendur disa nga paraardhësit e saj por në mënyrë të veçantë u ndal tek njëri prej tyre, Gazmend Llazani, figurë e njohur e arsimit në Shkodër, i cili prej pak kohësh është ndarë nga jeta.
Më tej zëri i njohur i Radio Shkodrës tregoi më shumë mbi fillesat e saj në Radio Shkodra duke kujtuar edhe ditën e parë në punë kur ishte vetëm 19 vjeçe por nuk la pa përmendur edhe momentet e vështira përveç atyre të bukura.
Prej më shumë se 40 vitesh Merita Sokoli Çoba është dalluar për dëshirën dhe seriozitetin në drejtimin e emisioneve të ndryshme në Radio Shkodra dhe duke vazhduar të jetë ende pjesë aktive e këtij institucioni.