Shkodra si në shumë fusha të artit dhe kulturës ka vënë një gur të rëndësishëm në themelet e karikaturës shqiptare. E kush nuk e njeh Tef Palushin, një njeri me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe me plot përkushtim. Ai arriti pa shume bujë, të bëhej artisti më i spikatur në fushën e karikaturës shqiptare.
Në funksion të saj ishte ekspozita e zhvilluar nga tre artistë shqiptare nga Kosova Agron Sejdiu, Imri Musliu dhe Selajdin Hajdini në galerinë ODA në Shkodër. Ata vendosën të ekspozonin në qytetin e Tefë Palushit punimet e tyre me karikatura duke përcjellë edhe mesazhe të forta me artin e tyre.
Pavarësisht se Shkodra ka prodhuar e vazhdon të prodhojë elementë në të gjitha fushat e artit, e ardhmja e karikaturës dhe interesi i të rinjve për të duket se nuk është shumë premtuese.
Ekspozita e mbajtur në galerinë ODA përmban 33 punime dhe synon të zgjojë më shumë interesin e artdashësve por edhe të artistëve të rinj duke qenë se aktualisht karikatura shqiptare nuk promovohet shumë në dallim nga vendet fqinje që është një zhanër i kultivuar gjerësisht. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun disa ditë me radhë.
