Prej kohësh galeria “ODA” është bërë “shtëpia” mikpritëse e shumë artistëve shkodranë por edhe shqiptarë të të gjitha trevave të cilët kanë shpalosur artin e tyre përmes krijimeve tek publiku shkodran.
Ndonëse nuk është e largët koha kur galeria çeli dyert për artdashësit duhet thënë se ekspozitat e mbajtura në ambjentet e saj kanë qënë të shumta dhe duket se forca më e madhe qëndron tek një emërues i përbashkët që është arti i cili sikurse shprehet edhe Rozafa Shpuza, mikpritësja e galerisë, është ai që i ngrohë shpirtërat e njerëzve në çdo rast.
Nuk kanë qënë të pakët edhe artistët ndërkombëtarë që kanë ekspozuar punimet e tyre artistike në galerinë “ODA” madje ky fakt duket sikur krijon një urë lidhëse në mes tyre dhe qytetit të Shkodrës.
Promovimi i vlerave më të mira të Shkodrës mbetet qëllimi kryesor i galerisë dhe këtë e tregon edhe detaji shumë i veçantë i ngritjes së saj mbi themelet e një shtëpie karakteristike shkodrane.
Edhe për vitin 2022 janë menduar një sërë ekspozitash dhe aktivitetesh artistike të mbahen në ambjentet e kësaj galerie dhe t’i prezantohen publikut shkodran. E para që u mbajt për këtë vit ishte një ekspozitë pikturash e titulluar “Përtej kohës” nga artistja e re Argenita Fetahu nga Gjakova.
Ekspozita e radhës që do të mbahet në ambjentet e galerisë “ODA” do të ketë në fokus karikaturat dhe do të mbahet përgjatë muajit shkurt.
Klikoni këtu për më shumë detaje!
©️ Marjo Gjini
