Ajo është një nga artizanet më të veçanta në Shkodër dhe pasioni për artizanatin nisi tek ajo krejt rastësisht rreth 6 vite më parë. Stela Toska duket sikur i “qëndis” gurët dhe drurët sepse të tilla mund të konsiderohen krijimet e saja me këto materiale.
Stela pranon se është e lidhur shumë me Shqipërinë në përgjithësi dhe me Shkodrën në veçanti në punimet e saj pasi motivet popullore janë pjesë e pandarë e punëve me dorë që ajo bën çdo ditë. Këtë lidhje të saj mund ta gjesh nëpër disa detaje siç mund të jenë dyert e banesave shkodrane apo veshjet popullore, e thënë ndryshe në çdo gjë që mund të konsiderohet punë dore dhe që përmbajnë motive kombëtare brenda.
Dhe në fakt nisur nga kjo edhe punimet e saj preferohen në masë jo vetëm nga të huajt por në mënyrë të veçantë nga shqiptarët të cilët kryesisht jetojnë jashtë vendit edhe pse Stela Toska nuk e fsheh vështirësinë për t’i postuar punimet e saj të dorës, jashtë Shqipërisë për shkak të kostos që nevojitet duke qënë se kërkojnë kujdes të veçantë në paketim.
Panairet e zhvilluara në qytet kanë qënë një formë e mirë e promovimit të krijimtarisë së saj artizanale dhe Stela ka marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në to por sot ajo nuk e mohon dot faktin se për artizanët shtrohen sfida të reja përpara dhe shumë gjëra duhen përmirësuar madje duke nisur nga vetë panairet që sikurse thotë ajo kanë nevojë për një rikonceptim të ri për të shtuar akoma më shumë suksesin e punimeve artizanale.
Prej pak kohësh Stela Toska është vlerësuar me titullin “Mjeshtre” nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë dhe ky titull natyrisht që e nxit të vazhdojë akoma më tej me punën e saj dhe një nga këto suksese është edhe nxjerrja në treg e punimeve premium që i jep një vlerë të shtuar rrugëtimit të saj të nisur prej disa vitesh në artizanatin shqiptar.
Klikoni këtu për më shumë detaje.
©️ Marjo Gjini
