Adriano Celentano lindi më 6 janar 1938 në Milano. Ai është biri i dy prindërve puliezë, të cilët u shpërngulën në Milano, në kërkim të një jete më të mirë. Adoleshenca e gjen atë larg shkollës, i detyruar të bëjë punë të ndryshme për të mbijetuar, ku ai kujton si të preferuar zanatin e orëndreqësit. Megjithatë, ky orëndreqës “i pandreqshëm”, zbulon tek vetja e vet se kishte talent për muzikë, ndaj dhe për herë të parë debuton në teatrin “Smeraldo”, së bashku me Tony Renis, në një grup muzikor që mbante emrin “Qejflinjtë e ritmit”. 
Pas njërës prej shfaqjeve të fillimit, ai takohet me kampionin e muzikës rock-boogie, Bruno Dossena, i cili e fton të marrë pjesë në Festivalin e Rock’n’Roll-it, që zhvillohej në Pallatin e Akullit në Milano. Atje, Adriano Celentano mori pjesë i shoqëruar nga kompleksi “Rock boys”, ku bënin pjesë artistë që më vonë do të bëheshin emra të mëdhenj të muzikës italiane, si: Giorgio Gaber, Enzo Jannacci dhe Luigi Tenco. Megjithëse kishte shumë pjesëmarrës, dukej se i vetmi këngëtar i vërtetë rock ishte ai, “Adriano il Molleggiato” (i përdredhuri) i pari, madje i vetmi në Europë. 
Me këngën “Ciao, do të lajmëroj”, ai i shkatërroi krejtësisht konkurrentët e tjerë dhe vetëm pas tri ditësh, nënshkruan kontratën e parë me shtëpinë diskografike milaneze “Saar”, me të cilën prodhon këngët hit “Rip it Up”, “Jaihouse Rock” dhe “Tutti Frutti”. Në vitin 1958, ai është sërish pjesëmarrës në edicionin e dytë të Festivalit të muzikës Rock’n’Roll dhe për herë të parë shfaqet si figurant në filmin “Të nxituarit”. Data 13 korrik 1959 është dita e Festivalit të Ankonës, ku Celentano, me këngën “Puthja jote është si një rock”, bëhet fitues dhe njëkohësisht pushtuesi i klasifikimeve muzikore në mbarë Italinë. 
Kjo këngë e bën Adriano Celentano-n të njohur, pra erdhi momenti i tij. Në vitin 1960, Celentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. 
Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në Festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”. Nuk fiton, sepse renditet në vendin e dytë, por disku shitet në më shumë se një milion kopje. Adriano në skenë këndoi duke ia kthyer shpinën publikut dhe ky veprim bëri aq bujë, sa u kthye në një çështje që u diskutua edhe në Parlament. Ai është i pari që themeloi një shtëpi diskografike, të quajtur “Clan Celentano”, ku do të prodhonte muzikë për vete dhe për këngëtarë të rinj. 
Rikthimin në Sanremo, artisti e bën më 1966-n, me një këngë që për herë të parë ngjiti në skenat muzikore europiane temën e ndotjes urbane. Titulli i saj është “Djaloshi i rrugës Gluck” dhe suksesin ia garantuan një milion e gjysmë kopje të shitura në mbarë botën, ku kënga u përkthye në tetëmbëdhjetë gjuhë. Ambicia artistike e Adrianos nuk mbeti vetëm në mbajtjen e statusit si këngëtari i parë rock’n’roll europian, sepse më 1972-shin del singëlli “Prisencolinensinanciusol”, e para këngë rap në historinë botërore. 
Amerikanët, që mbahen si zbulues të kësaj rryme, e sollën këngën e tyre të parë në tregun muzikor, vetëm dhjetë vite më pas. Artisti ka pasur gjatë gjithë karrierës dashurinë e pandarë të publikut, por në vitin 1974, pas daljes në kinema të filmit “Yuppi Du”, i shkruar, drejtuar, interpretuar dhe prodhuar nga vetë Celentano, kritikët e kinemasë thirrën njëzëri: “Ka lindur një Charlie Chaplin i ri!”. Periudha nga viti 1975 deri më 1985-n sjell për Adriano Celentano-n intensitet të pazakontë në aktivitetin si aktor. Filmat e tij janë të parët në historinë e kinemasë italiane, që sjellin të ardhura deri në dhjetë milionë euro. Fillimi i viteve ’90 e gjen Celentano-n duke projektuar suksese të tilla, si “Mbreti i injorantëve”, “Erdhën njerëzit” etj. 
Një bum artistik i publikut dhe i kritikës, ishte albumi që ai dhe Mina nxorën në treg në vitin 1998, me titullin “Mina & Celentano”. Në vitin 2000 del një tjetër album, “Dal rrallë dhe nuk flas shumë”. I tërhequr në jetën familjare, artisti vendos që pas dy vjetësh të risjellë një CD me titull “Përgjithmonë”. Ndërsa provokimi i fundit në daljet televizive “alla Celentano” titullohet “Situata nuk është e mirë”. Më 23 nëntor 2007, këngëtari publikon “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”, album që ka në kopertinën e tij një pamje të Adrianos si boksier. Ndërkohë që në vitin 2012 ndodhi ajo që pritej pasi ai merr pjesë në Sanremo dhe Celentano-s iu plotësua kërkesa për të pasur 50 minuta të veta nga show i natës së parë në këtë festival dhe duke qenë kështu lajmi i parë në të gjitha mediat. Celentano mbetet një ndër idhujt e muzikës italiane, i cilësuar si miti i historisë muzikore. Në 83-vjetorin e tij të lindjes programi radiofonik “Kënga Juaj” në Radio Shkodra i dedikoi një minutazh të veçantë jetës së artistit të famshëm botëror dhe për ta rikujtuar mund të klikoni këtu.
Dashuria e këngëtarit dhe aktorit të famshëm
Adriano Celentano i vërtetë është Klaudia Mori. Vetëm një femër strikte si Klaudia Mori mund të drejtojë, mbrojë dhe të dashurojë një vullkan si Adriano Celentano. Klaudia, aktore dhe këngëtare nga Roma, e takoi artistin në sheshxhirimin e filmit “Një tip i çuditshëm” dhe që nga ai moment, ata kanë qënë çifti më solid në showbizin italian. Martesa e tyre u bë shumë sekrete në vitin 1964. Kjo lidhje u solli atyre tre fëmijë: Rosita-n më 1965-n, Giacomo-n më 1966-n dhe Rosalinda-n më 1968-n. Jeta në çift e Adrianos dhe Klaudias ka rrjedhur e qetë dhe shumë e rezervuar për publikun. 
Disa kuriozitete nga jeta e Celentano-s
🔶️ Që në vogëli, Adriano Celentano ka qenë i apasionuar pas orëve dhe për një farë kohe ka punuar si orëndreqës. 
🔶️ Në vitin 1960 Adriano Celentano u shfaq si aktor në filmin e famshëm të Federico Fellini-t, “La dolce vita”. 
🔶️ Të gjithë e njohin si djaloshin e rrugës Gluck, një nga rolet më të famshme të Celentanos. 
🔶️ Midis mbarimit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70 Celentano u pa nga të rinjtë si reaksionar, për shkak të teksteve të tij “predikuese”. Në fakt, shumë shpesh, madje edhe nën maskën e këngëve “të pastra”, fshihej edhe kritika e ashpër ndaj shoqërisë. 
🔶️ Çfarë lidhje ka Çelentano me muzikën rep? E thjeshtë. Pjesa e tij “Prisencolinensinainciusol”, publikuar më 3 nëntor 1972 në gjuhën “Celentanesca“, konsiderohet nga artisti si rap-i i parë italian. Përtej mosmarrëveshjes për origjinën e rap-it, pjesa ishte një sukses ndërkombëtar, aq sa hyri në top listën amerikane duke zënë vendin e 70 në Shtetet e Bashkuara. 
🔶️ Nga viti 1979 deri në vitin 1994 Celentano zgjodhi të mos performojë më në koncerte. 
🔶️ Adriano Celentano është një vegjetarian. 
🔶️ Në Shtator 1995 artisti mbajti një koncert në Lourdes. 
🔶️ Adriano Celentano nuk ka një llogari në rrjetin social Instagram.