Bejtet shkodrane janë praktikuar shumë herë edhe në serenata, kur grupe të rinjsh shkonin nën dritaret e vajzave të ndryshme dhe këndonin, për të tërhequr vëmendjen e ndonjë vajze të bukur, veçanërisht kur ndonjëri prej djemve të rinj ndjente simpati për të.
Në këto raste bejta ishte pjesë e ndonjë kënge të njohur dhe zëvendësonte vetë këngën, por me një synim të caktuar, të cilin e kuptonte vetëm vajza që e dëgjonte nga dhoma e saj. Edhe bejtet e krijuara në serenata, në përgjithësi nuk janë ruajtur, sepse në këto raste janë kënduar këngë, kryesisht lirike erotike.
Blogu Pikepamje ju sjell një pjesë nga libri i Isa Alibalit ku flitet për bejtet gjatë serenatave në Shkodër dhe në këtë drejtim ka mbetur proverbial një dialog i thënë me bejtë “qit e prit”, midis djalit poshtë ndërtesës dhe gruas në shtëpi brenda, të cilët kishin shumë diferencë moshe me njëri-tjetrin. Gruaja dikur kishte qenë një nga vajzat më të dukura të qytetit, dhe që e ruante bukurinë gjithnjë, edhe pse tashmë ishte e martuar prej shumë vitesh. Kurse daloshi ishte një këngëtar i ri (tashmë i njohur nga të gjithë), i cili sapo kishte filluar të këndonte me zërin e tij prej bilbili. Ky djalosh, me grupin e vet të serenatës shkon nën dritaren e asaj gruaje dhe këndon këngën me një melodi të njohur, atë të këngës “Besën ma ke dhanë”, duke i thënë fjalët e strofës së parë në formë bejte:
Besën ma ke dhanë,
kur m’the se të due,
kur e more Ndreken,
pse s’më pyete mue…
“Vajza” tashmë grua e martuar dhe në moshë, menjëherë hap dritaren, u hedh një sy të gjithë të rinjve dhe këndon me një zë shumë të bukur:
Unë e mendoj deken,
n’rini kam pasë namë,
kur e kam marrë Ndreken,
ke kenë në bark t’satamë…
Të rinjtë qeshin me këtë përgjigje kaq të goditur me një nëntekst të qartë dhe largohen duke e përshëndetur me respekt gruan simpatike.
Isa Alibali në librin e tij për bejtet shkodrane shkruan se kjo bejtë i kujton një rast, kur në Shkodër, në një serenatë në shtëpinë e një vajze shumë të bukur, në mesin e viteve ,50-të të shekullit të kaluar, në natën e dytë të serenatës del tek dera i ati i vajzës, një burrë i nderuar dhe i kulturuar dhe i fton të gjithë pjesëmarrësit e serenatës që të futen në shtëpi, ku u kishte shtruar tryezën me të gjitha të mirat dhe ku shërbimin ia bëri vetë vajza e bukur….
Tek dera, i zoti i shtëpisë i përcolli, duke u thënë, me dashamirësi, këtë bejtë:
Me gjithë zemër unë po dal,
Me ju hapë deren e shpisë,
Mue më bahet zemra mal,
Kur i këndoni bukurisë.
Kjo ishte një nga bejtat e shumta që u thanë atë natë të veçantë.Të rinjtë nuk shkuan më asnjëherë në shtëpinë e asaj vajze të bukur e të atij zotnie fisnik, me kënaqësinë e përhershme se e tillë është Shkodra jonë, që ka ditur gjithnjë të respektojë qytetarët e vlerat e veta.
©️ Blogu Pikepamje
