Leonard Cohen shpenzonte shumë kohë, ndonjëherë edhe jave e muaj, mbi një tekst apo këngë. Bën përjashtim nga ky rregull vetëm kënga “Sisters of Mercy” (Motrat e Mëshirës), të cilën mjeshtri e shkroi brenda një nate, ndërsa kishte strehuar në dhomën e tij të hotelit në Edmonton dy vajza, që i kishte zënë rrugës stuhia e dëborës. 
Disa entuziastë hamendësuan se bëhej fjalë për dy prostituta, por Leonard Cohen gjithnjë e mohonte atë variant.  Kjo pandehmë u ushqye edhe nga aludime te disa studiuesve, sipas të cilëve artisti i madh botëror e perdori në menyre sarkastike titullin “Sisters of Mercy”, duke iu referuar një kuvendi të njohur irlandez murgeshash të vitit 1831, ndërkohë që, sipas tyre, poezia e tij bënte fjale për dy prostituta. Edhe këte spekullim Leonard Cohen e hodhi poshtë në çdo rast. 
Ja si e shpjegon vetë Mjeshtri në një intervistë të vitit 1993:
“Kjo ndodhi në Edmonton, një nga qytetet tona më të largëta të Veriut. Ishte një stuhi dëbore dhe e gjeta veten në një qoshe me dy alpiniste të reja që nuk kishin ku të kalonin naten.
I ftova në dhomen timë te hotelit, ku ndodhej veç një krevat dopjo dhe ato ranë të flinin menjëherë, ngaqë ishin të lodhura nga stuhia dhe i ftohti. Unë qëndrova në një karrige kashte, pranë dritares nën të cilën kalonte lumi aty afër. 
Dhe, ndersa ato po flinin, unë shkrova poezinë. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur të shkruaja diçka të mirë brenda një nate. Mendova që do të kishte qenë mrekulli të isha një poet i tillë. Vërtet do të kishte qenë e mrekullueshme. Sepse i shkrova vargjet në letër dhe melodinë në mendje, pothuajse pa asnjë ndalesë për korrigjim dhe kur dy vajzat u zgjuan unë ua këndova këngën time. Kjo gjë nuk më kishte bërë kurrë vaki më parë e as më pas…”