Ai është me origjinë nga qyteti i Kukësit dhe quhet Shkëlzen Brahaj dhe ajo çfarë e dallon atë nga të tjerët është pasioni i tij i madh për sportet por në mënyrë të veçantë për kuajt dhe hipizmin. Në moshën 19-vjeçare ai angazhohet si ushtar i forcave Komando përreth një vit dhe në vazhdim bëhet pjesë e repartit special të forcave RENEA në kryeqytet ku edhe jeton. Pavarësisht se ai aktualisht nuk është më pjesë e forcave policore duhet thënë se vazhdon të ushqejë një dashuri të madhe për aktivitetin fizik dhe sportin në përgjithësi por për më shumë lexoni intervistën e realizuar me Shkëlzenin për “Blogu Pikepamje”.
Shkëlzen cilat janë fillimet e tua në lidhje me aktivitetin fizik?
Përshëndetje! Atëherë, që në fëmijërinë time të inspiruar dhe nga disa filma të asaj kohe, ëndërronim që të kishim një fizik të mirë. Në moshën 16-17 vjeçare jam stërvitur me një ekip mundjeje të Kukësit pikërisht me trajnerin e këtij ekipi “stil i lirë” në atë kohë, të ndjerin Njazi Selmani. Më pas kam shkuar ushtar në repartin Komando të Zall-Herrit dhe sigurisht që aty disiplinat ishin më të forta dhe të detyrueshme kështu që edhe pas mbarimit të ushtrisë dhe aderimit tim në forcat speciale, përgatitja fizike ishte diçka e pelqyer por dhe e domosdoshme njëkohësisht.
Cila ka qënë arsyeja kryesore që ti zgjodhe të bëhesh pjesë e forcave RENEA?
Sigurisht që pasioni pasi që në fëmijëri jam rritur me atdhedashuri dhe me dëshirën që të bëj diçka sado të vogël për vendin tim dhe për këtë arsye mendoj që kontributi im në këtë fushë nuk ka qënë i vogël, kështu që e quaj veten të realizuar.
Për sa kohë ke qëndruar si pjesë e forcave RENEA?
Unë kam shërbyer pranë këtij instuticioni për 22 vite me radhë, në detyra dhe specialitete të ndryshme por tashmë jam i reformuar.
A ka patur më shumë momente të vështira apo të bukura gjatë kësaj periudhe?
Do të thoja që momentet më të vështira anojnë në këto vite të shërbimit tim por patjetër që ka edhe momente të bukura dhe do t’i quaja fantastike kur ti arrin të bësh të pamundurën të mundur. Momente të bukura dhe ekzaltuese do t’i quaja kur ne arrinim të shpëtonim jetë njerëzore si në rastet e fatkeqësive natyrore apo për shkaqe të pakujdesisë së njeriut si: zjarri, izolimi në zonat malore etj.
Megjithatë ju keni edhe pasione të tjera, na flisni pak për to?
Po, gjate gjithë jetës time më kanë shoqëruar dy gjëra të pandashme me njëra-tjetrën për mua: pasioni dhe profesioni. Pasioni im është ai i hipizmit dhe dashuria për kuajt, krijesa që unë do t’i quaja fisnike por nuk e ekzagjeroj nëse do të thoja hyjnore. Kali, mendoj është një kafshë që më ka balancuar jetën mes punës dhe kohës së lirë. Të gjithë stresin e akumuluar nga një ditë e lodhshme pune kur unë kalëroj me të jam totalisht i relaksuar dhe i ristartuar për një ditë tjetër pune të vështirë kështu që i jam falenderues kësaj krijese.
Kjo do të thotë që ti vazhdon të ushtrohesh me sport dhe nuk e ke ndërprerë për asnjë çast ushtrimin fizik?
Tashmë i jam përkushtuar hipizmit me kohë të plotë. Hipizmi është një sport shumë i shëndetshëm për të gjithë. Ai ndihmon në kurimin e disa problemeve shëndetësore të njeriut. Kalërimi është i dobishëm si nga ana fizike por dhe ajo mendore. Unë aktualisht kam kuajt e mij në fermën time por dhe rris e trajnoj si dhe mbarështoj kuaj të personave të tjerë që nuk kanë ambjente për t’i mbajtur. Në njëfarë mënyre kam zgjedhur të ushqej familjen time ashtu siç jam gatuar deri tani edhe vetë me ndershmëri, mund dhe djersë. Por duke qënë dhe pak tip i “rrezikut” ky sport ka edhe adrenalinën, gjë që më tërheq pamasë në këtë lloj sporti.
Për cilën arsye do e tradhëtoje kalin apo pasionin për kuajt?
Për asgjë në botë madje do të thoja që nuk mund të jetoj pa të. Të betohem jam aq i lidhur pas tij aq sa ndonjëherë e quaj veten “të marrë”. Kali është një kafshë që të bën shumë për vete, fisnikëria dhe krenaria e tij të gllabëron. Lidhja me të është e pashpjegueshme pasi këtë vetëm mund ta ndjesh por jo ta shpjegosh me fjalë.
Si i shikon të rinjtë në lidhje me sportin e hipizmit, a është shtuar interesi i tyre për këtë sport dhe a do të doje ta trashëgoje tek brezat pasardhës?
Kohët e fundit në Shqipëri ky sport po merr përmasa të jashtëzakonshme pasi vetëm këtë vit kanë hyrë nga Evropa në vendin tonë kuaj super të mirë të racave dhe disiplinave të ndryshme dhe unë mendoj që janë një pasuri kombëtare. Të rinjtë e sotëm kanë interes por jo aq sa duhet. Brezi i ri janë paksa inferiorë ndaj çdo kafshe. Njeriu dhe njerëzimi ka rrugëtuar gjithmonë me këta krijesa pavarësisht moderrnizimit. Unë personalisht do i bëja thirrje dhe do i sugjeroja rinisë së sotme që ta duan këtë sport sepse do t’i largojë ata nga veset e këqija dhe do t’i ndihmojë në shëndetin e tyre fiziko-mendor siç e thashë më lart. Është e vërtetë që jo të gjithë e kanë mundësinë për blerjen apo mbajtjen e një kali por nëse do ta aplikosh si sport sot mundësitë janë gjithandej dhe ua sugjeroj me gjithë shpirt.
Faleminderit për këtë intervistë!
Faleminderit juve.
