Talenti, fiziku, energjia e tij, bënë që Elvis Presley edhe sot e kësaj dite, të jetë njëri ndër personalitetet më dominuese të kulturës mbarë botërore. Duke qenë i ndikuar nga muzika “country” (popullore) dhe rryma pop, karriera muzikore e Elvis Presley-t, nisi në vitin 1954, nën ombrellën e shtëpisë diskografike “Sun Records”, në Memphis. Në vitin 1956, Elvis Presley ishte kthyer në një sensacion ndërkombëtar, për t’u bërë ai që e njohim edhe sot si të tillë – “Mbret i Rock n’Roll-it”.
Vetëm në Amerikë, Elvis Presley, ka patur 150 albume dhe single’s të ndryshme që janë çertifikuar me çmime “Gold”, “Platinium” dhe “Multi-platinium”. Vlerësohet se 40% e inçizimeve të Presley-t, janë shitur jashtë SHBA. Me jo më pak se 149 këngë, ai ka kryesuar top listat muzikore në gjithë botën. Nga këto këngë, 114 prej tyre kanë qenë pjesë e top 40-it në Billboard, 40 këngë kanë hyrë në top 10-she dhe 18 këngë kanë kryesuar vendin e parë në “Billboard Hot 100”.
Përgjatë jetës së “shkurtër” që pati, Elvis Presley, u paraqit në 33 filma. Në mesin e shumë sukseseve në karrierë, Elvis Presley, ka qenë 14 herë i nominuar edhe për çmimin “Grammy”, 3 prej të cilave edhe i ka fituar.
Bota ka njohur meritat e tij në kulturë e art edhe pas vdekjes së tij, duke e dekoruar atë me çmime të shumta. Ai vazhdon të përmendet edhe pas vdekjes së tij, ku vetëm pak kohë më parë, kitara akustike e të ndjerit Elvis Presley “Martin D-18”, e vitit 1942, u shit në një ankand për 1.32 milionë $.
Elvis Presley mbetet i pavdekshëm, e kjo falë regjistrimeve të shumta muzikore që i ka lënë botës. Vlerësohet se më shumë se një miliard inçizime të Elvis Presley-t, që është edhe një rekord botëror, janë shitur në të gjithë botën, inçizime këto me shtëpinë diskografike “Sun Records”.
