Fotografia “Huta kërcënon një fëmijë” është shkrepur në mars të vitit 1993 në Ayod (Sudan) dhe është konsideruar si një nga 100 fotografitë më të rëndësishme në historinë botërore.

Kjo foto e heshtur dhe dramatike është tepër e dhimbshme për t’u parë. Eshtë edhe një foto lakuriqe, e zhveshur nga të gjitha marifetet: dy subjekte, të vendosura diagonalisht, dalin në pah në kontrast me sfondin e zhveshur e të shkretuar. Vajza e vogël është tejet e dobët, pa pikë fuqie. 

Ajo është palosur dhe po vdes nga uria. Nuk mund ta shohim shprehjen e fytyrës së saj, por mund ta marrim me mend rraskapitjen dhe vuajtjen e saj. Pas saj, pret pa lëvizur një hutë:
ne nuhasim se vdekja është pranë. Këndi i zgjedhur për këtë fotografi dhe kompozimi diagonal i imazhit e bëjnë lëvizjen e ardhshme të shpendit të duket e afërt.
Kevin Carter-i, një fotoreporter afrikano-jugor, kishte dokumentuar aparteidin dhe dhunën e përgjakshme në vendin e tij për shumë vite. Në vitin 1993 ai ndoqi një krizë urie të rëndë
që po e asgjësonte popullatën e Sudanit, një vend i cili kishte vuajtur më parë nga lufta civile, varfëria dhe sëmundjet. Ai rastisi në këtë skenë pranë një fshati të Ayod-it, jo larg prej kampit të Kombeve të Bashkuara që shpërndante ushqim për popullatën që po vdiste nga uria.

Fotografia, e cila u shfaq në “New York Times” më 26 mars 1993, i solli atij çmimin Pulitzer në vitin 1994, por i solli dhe kritika të ashpra: ai u akuzua se po shkrepte foto ndërkohë që vajza e vogël kishte nevojë për ndihmë. 

Carter-i nuk u shpreh kurrë qartazi nëse pas shkrepjes së fotos ai
e kishte ndihmuar apo jo vajzën. Ndoshta ai nuk kishte kohën apo kthjelltësinë e nevojshme për ta sqaruar situatën, për të dhënë arsye për sjelljen e tij: ndaj pak muaj më vonë ai vrau veten. Ai ishte 33 vjeç. Sigurisht, nuk kishte qenë kurrë i pandjeshëm ndaj tragjedive të kornizuara nga aparati i tij fotografik.
Në vitet në vazhdim, imazhi i vajzës së vogël u bë simbol i vuajtjes së të gjithë
kontinentit afrikan. Kjo vuajtje është po ashtu produkt i indiferencës: shumë shpesh komunitetit global i mungon jo vetëm nisma për të ndërhyrë, por edhe guximi i thjeshtë për të parë.