Fotografia “Muri i Berlinit” është shkrepur në shtator të vitit 1961në Berlin të Republikës Federale të Gjermanisë dhe është konsideruar si një nga 100 fotografitë që ndryshuan botën.

Një familje e mbledhur përpara Murit të Berlinit ngre dy fëmijë të vegjël mbi telat me gjemba, që të mund t’i shohin gjyshërit e tyre në anën tjetër. Vetëm pak ditë më parë, më 13 gusht 1961, populli i Gjermanisë qe zgjuar i llahtarisur kur pa ushtrinë e Republikës Demokratike të
Gjermanisë që po ndërtonte një mur, i cili do ta ndante në dysh Berlinin. 
Këtu ndodhemi në pjesën perëndimore, por kjo nuk ka rëndësi: mund ta imagjinojmë imazhin e pasqyruar të skenës nga ana tjetër. 

Në të njëjtën mënyrë muri ndau mijëra familje, duke i detyruar ata të kënaqeshin me gjeste të vogla për të mbajtur lidhjet e cenuara nga interesat ndërkombëtare.
Ai çka duhej të ishte, sipas përcaktimit të Gjermanisë Lindore, një “mur mbrojtës antifashist”, në të vërtetë shërbeu për të ndaluar arratinë e gjermanëve në Sektorin Perëndimor. Muri prej betoni zgjatej për më shumë se 96 milje e vitin pasardhës u përforcua në disa pjesë nga një mur i dytë paralel me të parin. Mes tyre shtrihej “brezi i vdekjes”, një korridor prej rreth 9 metrash i gjerë, që ishte tokë e askujt dhe ishte i rrethuar me gardhe korrenti elektrik. Anembanë qenë shpërndarë mina tokësore dhe ruhej nga roje që ishin të autorizuara të qëllonin me të parë. Pavarësisht murit, shumë njerëz rrezikuan jetën për të kapërcyer kufirin, duke shpikur taktikat më mendjemprehta, që nga tunelet e deri te balonat me ajër të nxehtë. Pati rreth 5 000 përpjekje të suksesshme arratie, por me qindra njerëz humbën jetën duke u përpjekur ta kalonin murin: më i riu ishte vetëm 18 vjeç.
Stampimi i fotos origjinale, qysh nga viti 1961 qëndron e ekspozuar në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan”. Bashkë me udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev-in,
Reagan-i ndihmoi në uljen e tensionit mes Lindjes dhe Perëndimit, i cili solli rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, si edhe përfundimin e Luftës së Ftohtë.