Fotografia “Hebrenjtë e mbijetuar në Buhenuald” është një nga 100 fotografitë që ndryshuan botën dhe është shkrepur me 16 prill 1945 në Buhenuald të Gjermanisë.

“Nuk kam për ta harruar kurrë atë natë, natën e parë në kamp, e cila e shndërroi jetën time në një natë të gjatë, shtatë herë të mallkuar dhe shtatë herë të mbyllur.” 
Kështu shkruante Elie Wiesel-i, fituesi i çmimit “Nobel për Paqen” dhe autori i librit “Nata”, ku ai rrëfen mbijetesën e tij tragjike në kampin nazist të asgjësimit.

Wiesel-i gjendet në këtë fotografi të vrazhdë, e cila qe shkrepur nga ushtari Henry Miller më 6 prill 1945, pesë ditë pasi Aleatët çliruan kampin Buhenuald në Gjermani. Shkrimtari dëfton se ai
është njeriu i shtatë në katin e dytë të shtretërve: ne mezi e dallojmë fytyrën e tij në terrin e dhomës.
Në plan të parë, paraqitet një djalosh i ri, gati krejt i zhveshur, krejt i dobësuar e i tretur që sheh mosbesues nga kamera. Nga drita e mekur dallohen qartë brinjët e tij të dala në kraharorin e tij të zbehtë. Fytyrat e tjera, thatanike e të çmeritura, teksa anohen nga shtretërit ia ngulin sytë aparatit
fotografik. Thjesht sa mund ta imagjinojmë se si janë ndier këta njerëz kur mbërritën amerikanët,
duke shpallur përfundimin e luftës dhe përfundimin e periudhës së tyre si të burgosur.
Pak më herët atë prill të 1945-ës, të burgosurit kishin përfituar nga dobësimi i “SS”-së, së cilës i qe
mpakur fuqia dhe po i afrohej përmbysja për shkak të disfatës që po vinte. Të burgosurit sulmuan rojet dhe morën nën kontroll kampin. Pak orë më vonë, tanket amerikane shkulmuan trarët e postbllokut të Buhenualdit.
Fotografia private e ushtarit Miller më vonë ngriti disa pikëpyetje. Dëshmia e të mbijetuarve të tjerë nuk përputhej me atë të Wiesel-it: ata nuk e njohën atë mes të burgosurve të tjerë në atë
fotografi. Ndërsa disa të tjerë lanë të kuptohet se amerikanët zgjodhën enkas të burgosurin më të dobët e më të sëmurë, për të bërë propagandë anti-gjermane, ndaj e ujdisën me kujdes fotografinë.

Megjithatë, pavarësisht nga polemika, ajo çka mbetet në këtë fotografi është një dëshmi dëshpëruese për një nga faqet më të errëta në histori.