Manila, kryeqyteti i Filipineve, është një nga qytetet më të bukur në botë, i njohur për arkitekturën kolonialiste spanjolle dhe rrokaqiejt modernë. Manila është “shtëpi” e kishës të shekullit të XVI të Shën Augustinit si dhe Fort Santiagos, një kështjellë historike, që dikur ishte burg ushtarak. Universiteti Santo Tomas, në Sampaloc është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm në historinë e këtij qyteti, që është themeluar në vitin 1611 dhe e bën atë Universitetin më të vjetër në të gjithë Azinë, e gjithashtu është Universiteti më i madh Katolik, sa i përket numrit të studentëve.
Banka Qendrore e Manilës, gjithashtu ka bërë historinë në vitin 1998, kur emetoi kartëmonedhën më të madhe në botë, me madhësinë e një letre të formatit A4. Kjo kartëmonedhë kishte vlerën prej 100 mijë pesos.
Një ndër vendet më të veçanta në këtë qytet, është edhe Hotel Manila, që ka kaluar ditëlindjen e vet shekullore para disa viteve. Ky hotel ka qenë mikpritës për shumë emra të njohur, e ndër ta ishin edhe Ernest Hemingway, James Michener, John Wayne, Douglas MacArthur dhe grupi i famshëm “The Beatles”. Kur vizitoni qytetin e Manilës, do të shihni nga afër edhe qytetin e vjetër Intramuros, që u ndërtua në shekullin e XVI-të, për ta mbrojtur qytetin e asaj kohë nga pushtimet. Ky ndërtim i ka bërë ballë shumë luftërave, tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera ndër shekuj.
