Qyteti i bukur i Tunizit, është kryeqyteti i Tunizisë dhe njëkohësisht qyteti më i madh i këtij vendi, me një popullsi prej 2 milionë banorësh, të cilët jetojnë në tokën që dikur ishte shtëpi e perandorëve më të mëdhenj romakë. Nëse flasim për ekonominë e këtij vendi, duhet të përqendrohemi në kulturat bujqësore ku dallohen më së shumti drithërat dhe ullinjtë, por banorët e kësaj ane janë të angazhuar edhe në veprimtari të tjera siç është edhe industria e tekstilit, ku në fakt Tunizi ka thyer rekordin botëror Guinness, për qepjen e xhinseve më të mëdha ndonjëherë, të gjata 50 metra, me një gjerësi 36 metra dhe me peshë rreth 1000 kilogramë. 
Ky qytet nuk është zhvilluar me shkallën e pritur, por gjithsesi kjo gjë ka pasur ndikim pozitiv për turistët, sepse jetesa në Tunizi mbetet ndër më të lirat në botë, me çmime shumë të ulëta të të mirave materiale dhe atyre ushqimore. Tunizi është shtëpi e Bardo-s, muzeut arkeologjik ku janë të shfaqura mozaikët e periudhës romake në një pallat të shekullit të XV. Krahas këtij atraksioni turistik konsiderohen edhe banjat termale, që datojnë nga perandorët e lashtë romakë. 
Kur vizitoni këtë qytet mund të shihni nga afër edhe njërën nga xhamitë më të vjetra në botë, Al-Zaytuna, e cila daton që nga viti 689. Përveç historisë, Tunizi është vend edhe i argëtimit, ku një ndër festivalet më të rëndësishme në botën arabe dhe afrikane, mbahet pikërisht në këtë qytet. Festivali i Kartagjenës zë vend gjatë muajit korrik dhe ka famë në tërë botën, i mbajtur në një hapësirë që zë rreth 7500 spektatorë, e që dikur luante rolin e një teatri antik.
🟩 Follow pikepamje_com në Instagram