Varshava ka një popullsi prej 3.1 milion banorë dhe është kryeqyteti i shtatë më i banuar në Evropë. Akoma më tërheqës atë e bën qyteti i vjetër historik, i cili mbrohet nga UNESCO si një nga destinacionet me trashëgiminë më domethënëse. Një objekt që i shton hijeshinë këtij qyteti, është padyshim “Kalaja Mbretërore”, e cila për shumë shekuj ka shërbyer si “shtëpia” e mbretërve polakë. Kjo kala është në mesin e ndërtesave që u shkatërruan thuajse tërësisht gjatë luftërave botërore, mirëpo stafi i kalasë, arriti të ruante disa nga thesaret kyçe të saj.
Kur jemi tek e bukura e këtij vendi, nuk mund të lëmë pa përmendur as Katedralen e “St. Johns” dhe Kishën “St Anne”. Në veri të qytetit të vjetër ndodhet “Muzeu i Varshavës”, një vend i cili “strehon” historitë më dramatike të qytetit. Nëse doni ende histori mund t’i shihni nga afër edhe “Muzeun e Polinit” dhe “Muzeun e Ngritjes së Varshavës”. Në Varshavë, ju mund të udhëtoni në kohë edhe duke shëtitur në “Rrugën Mbretërore”, e cila në të kaluarën përdorej vetëm nga mbretërit.
E kur jemi tek rrugët, ndër më të famshmet në Varshavë është rruga e njohur si “Nowy Swiat Street”, ku gjëja e parë që bie në sy është monumenti i astronomit të famshëm “Nicolaus Copernicus”, i cili në vitin 1543 revolucionarizoi shkencën me teorinë e tij se toka rrotullohet rreth diellit.
Restorantet si “Polska Rozana”, “Portretowa”, “Opasły Tom”, “U Kucharzy” dhe “Stary Dom” kryesojnë listën e rekomandimeve për të shijuar ushqimet më të mira tradicionale në Varshavë.
