Sa herë është thënë se e ardhmja i përket arsimit profesional, kjo për shumë arsye por më kryesorja për orientimin e shpejtë dhe efikas të të rinjve në tregun e punës. 
Arsimi profesional diskutohet si një mjet për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e vendit. 
Shpesh gjëndemi përballë një realiteti ku ata që janë në shkollë janë të kanalizuar në një numer të kufizuar degësh dhe ata që janë të papunë, janë doktorë shkencash, janë posedues masterash dhe medaljesh, që në të shumtën e herës nuk kanë asnjë vlere. 
Me ndërlidhjen e arsimit profesional të shoqërisë me punësimin, praktikisht krijohen kushtet për një mirëqenie individuale dhe shoqërore , duke mundësuar që mirëqenia individuale të mos jetë një shpresë që duket e paarritshme, por të jetë një perspektivë reale për këdo që ndërmerr rrugën e arsimit profesional, në kushtet kur nuk mund të vazhdojë rrugën e zhvillimit akademik . 
Një prej shkollave profesionale më të organizuara në qytetin e Shkodrës është ajo e “Hamdi Bushati”-t kjo falë punës së palodhur të stafit të përkushtuar pedagogjik të kësaj shkolle. Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” ndër vite ka përfaqësuar një vlerë të shtuar në qytetin e Shkodrës e në mënyrë të veçantë në vitet e fundit ku progresi në modernizimin e shkollës është i dukshëm. 
E ardhmja e suksesshme ndërtohet mbi themelet e të shkuarës dhe historiku i kësaj shkolle është i pasur. 
Rezarta Vejuka, mësuese e lëndëve të përgjithshme që në bashkëpunim me mësuesit me mësimdhënien më të gjatë në këtë institucion si: Brilanda Kraja, Afërdita Kopliku, Shqiponja Shpuza, Merita Garo po përgatisin historikun e shkollës pasi kjo shkollë është krijuar herët dhe ka patur fatin të ketë në rrugëtimin e zhvillimit institucional të tij disa nga figurat më të dashura të arsimit shkodran si: Filip Guraziu, Besnik Bekteshi, Genc Agolli, Marita Gjonej e shumë të tjerë. 
Shkolla profesionale “Hamdi Bushati” ka 3 drejtime profesionale: hoteleri turizëm me profile profesionale: Bar Restorant, Kuzhinë Pasticeri, Recepsion, Guidë Turistike, Shërbime hoteliere.
Drejtimi Ekonomik me profile: Llogari, Tregti, Sigurime etj.
Drejtimi profesional Tekstil Konfeksion me profile profesionale: Rrobaqepësi, Stilim etj. 
Përzgjedhja e profileve bazohet në nevojat e tregut rajonal dhe ky proçes realizohet në një bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve që ndikojnë në mirëfunksionimin e arsimit dhe formimit profesional siç janë: përfaqësues nga bizneset, drejtoria rajonale e punësimit Shkodër, përfaqësues nga qeverisja vendore (Bashkia), mësimdhënës, nxënës, prindër. 
Dhe në bashkëpunim të ngushtë me projektet e ndryshme që mbështesin arsimin profesional në Shqipëri siç është aktualisht projekti “Aftësi për Punë”, S4J që po mbështet shkollën “Hamdi Bushati” në infrastrukturë, metodologji në mësimdhënie dhe në zhvillimin e praktikave profesionale të suksesshme sipas modelit të arsimit e formimit profesional zvicerjan. 
Shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” është një shkollë me vizion të qartë për të ardhmen dhe për efektet pozitive që jep në shoqëri, arsimi dhe formimi profesional i te rinjve, pasi ndikon në punësimin e sigurtë të tyre duke ndikuar kështu edhe në rritjen e mirëqënies ekonomike individuale dhe familjare, por dhe në rritjen e mirëqënies së shoqerisë shqiptare prandaj zgjedhja e nje arsimi profesional për fëmijet duket se është zgjedhja optimale për ta. 
Mund të themi që arsimi profesional është zgjidhja optimale për tregun e punës . 
Arsimin Profesional me shkollat profesionale të lidhura me biznesin, duke bërë të mundur krijimin e më shumë kushteve për punë reale, duke krijuar më shumë kushte për të përmirësuar cilësinë e punës. 
Padyshim që pjesa kryesore e suksesit të një shkolle janë nxënësit e saj dhe rezultatet e tyre. 
Sot, të gjitha statistikat të cilat flasin për tregun e punës, dëshmojnë se tregu ka nevojë për profesionistë. Shumica e punëve të afishuara nëpër zyrat e punës kërkojnë njerëz të aftë për zanate (hoteleri – turizëm, ekonomi – financë, rrobaqëpësi etj ). Arsimi profesional duhet të shihet si një prioritet. Arsimi profesional është mënyra e vetme që garanton cilësi profesionale dhe punësim të sigurtë. Shkolla “Hamdi Bushati” është një shembull i mirë i Shkodrës.

Për më shumë klikoni këtu.
©️ Marjo Gjini