Nicole Elikolani Prescovia Scherzinger, ka lindur me 29 qershor 1978 në Hawaii, por është rritur në Luisville, ku ishte zhvendosur atje në moshën 6-vjeçare, bashkë me nënën e saj, pas shkurorëzimit të prindërve. Ajo ka studiuar në shkollën e lartë të artit, për të vazhduar më pas studimet në Universitetin “Wright State”, në Dayton të Ohio’s.

Ajo e ka nisur karrierën e saj në muzikë si vokaliste mbështetëse për grupin e rock-ut të viteve të 90-ta, “Days of the New”. Në vitin 2001, Scherzinger vendosi të garonte në sezonin e parë të shfaqjes televizive “WB Popstars”, ku fitoi rolin e vokalistes kryesore në grupin e vajzave “Eden’s Crush”.

Debutimin më të madh në karrierë, e famshmja Nicole Scherzinger, e bëri kur iu bashkua grupit të famshëm të vajzave në Los Angeles, “Pussycat Dolls”. Madje, ajo u bë vokalistja kryesore e këtij grupi. Scherzinger bashkëpunoi në projekte të ndryshme muzikore me artistë të famshëm, si: P.Diddy, Rihanna, Avant, Will Smith dhe Belinda. Pavarësisht angazhimit që kishte me grupin “Pussycat Dolls”, Scherzinger arriti të publikojë edhe albumin e saj të parë solo “Her Name Is Nicole”.

Artistja e njohur ka qenë pjesë e jurisë në garën televizive amerikane “The Sing Off”. Edhe në vitin 2010, ajo vazhdoi angazhimin si anëtare e jurisë në spektaklin televiziv, në sezonin e 10-të “Dancing with the Stars” si dhe sezonin e shtatë “X-Factor”, në Britaninë e Madhe.

Scherzinger ka publikuar shumë këngë të cilat janë kthyer menjëherë në hite si dhe duke qenë gjithmonë afër publikut të saj përmes turneve të shumta të cilat janë padyshim organizime madhështore. Fansat e saj presin që shumë shpejt ta shohin së bashku me anëtaret tjera të “Pussycat Dolls”, në koncertet të cilat janë të programuara të realizohen si pjesë e rikthimit të grupit.