Tarkan Tevetoğlu, i njohur për publikun thjeshtë si: Tarkan, është njëri ndër artistët më të mëdhenj që ka prodhuar industria muzikore turke. Që nga fillimi i viteve të 90-ta, Tarkan ka qenë ndër figurat më të njohura të muzikës pop në Turqi, Evropë dhe në Azinë Perëndimore. Albumi i tij debutues doli në treg në dhjetor të vitit 1992 ndërsa ky album arriti të shitet në mbi 750 mijë kopje, menjëherë pas publikimit në treg.
Në fillim të viteve 2000, Tarkan u bë imazhi promovues i kompanisë Pepsi në Turqi dhe më vonë, në vitin 2002, ishte maskota zyrtare e kombëtares turke për Kupën e Botës të po atij viti. Gjatë karrierës së tij ai ka tentuar të depërtojë edhe në tregun ndërkombëtar duke lançuar albumin e tij të parë në gjuhën angleze “Come Closer” në vitin 2005. Megjithëse albumi nuk arriti suksesin e dëshirueshëm, por pati disa këngë që u pëlqyen edhe jashtë kufijve evropian.
Karriera e Tarkan ka qenë mjaft e bujshme ku vlen të theksohet se ai ka qenë gjithmonë eksperimental në stilin e tij duke përzier instrumentale modern me melodi të lindjes së mesme, me aranzhime që gjithmonë kishin diçka të bukur, çka edhe i mundësoi të kishte disa albume me shitje platinium. Përveçse një artist shumë i dashur për publikun, Tarkan është vlerësuar së tepërmi edhe nga kritikët e rëndësishëm të muzikës. Në vitin 1999 ai fitoi çmimin “World Music Award”. Ndër këngët e tij më të njohura mbetet hiti “Şımarık”, që për shumë fansa në botë njihet si “Kiss Kiss”.
