Santiago është kryeqyteti i Kilit dhe gjithashtu qyteti më i madh i këtij shteti. I rrethuar nga Andet me borë në njërën anë dhe nga bregu i populluar në anën tjetër, qyteti i Santiagos njihet për ndërtimet dhe trashëgiminë e arkitekturës së vjetër. Për të gjithë ju që jeni të dhënë pas historisë, në këtë qytet do ta gjeni veten me patjetër, me ndërtime si “Pallati i Guvernatorëve”, “Katedralja Metropolitane”, “Tribunali i Konsullatës” dhe kishat e “San Francisco”-s, “Santo Domingo”, “Recoleta Franciscana” dhe “La Merced”.
Nëse vizitoni këtë qytet, duhet patjetër të vizitoni edhe universitetin shtetëror, i cili u themelua në vitin 1842, e gjithashtu edhe Universitetin Katolik të Kilit që daton nga viti 1888. Një gjë interesante rreth këtij qyteti është se për kundër faktit që është kryeqytet i Kilit, parlamenti mban punimet në qytetin Valparaiso, 140 km larg Santiagos.
Brenda qytetit mund të realizoni edhe aktivitete sportive, meqenëse qyteti ofron klube sportive private dhe publike, e gjithashtu edhe stadiume. Pak më sipër qytetit për ata që duan aventura më ekstreme, e keni mundësinë për skijim në shpatin e Farellones. Ndërsa, në anën tjetër të këtij qyteti mund të pushoni në bregdet. Ky pra është kryeqyteti i Kilit, Santiago, në të cilin ka vend për shijet e të gjithëve, për ata që duan lartësinë dhe malet si dhe për ata që duan plazhin dhe ujin.
Një fakt që duhet përmendur në lidhje me Santiagon është ai se ky qytet ka qenë gjithmonë vatër e tërmeteve teksa kujtojmë që në vitin 2010 u godit nga një tërmet shumë i fortë që arriti shkallën prej 8.8 ballësh të Rihterit. Tërmeti i vitit 2010 në Kili, mori jetën e 525 njerëzve, ndërsa të zhdukur konsiderohen 25 persona ndërsa 370.000 shtëpi u dëmtuan.
Por, po patët rastin, Santiagon ia vlen ta vizitoni për shumë arsye, meqë njihet si qytet i gjallë, kozmopolit me muze, teatro, galeri arti, ushqim të mirë, njihet për jetën e natës , tregjet aktive, arkitekturën madhështore dhe me pamje magjepsëse nga malet e Andeve në njërën anë dhe oqeanin Paqësor në anën tjetër.
Pamjen më mahnitëse apo panoramike të Santiagos, mund ta shijoni nga parku portret i Santiagos, “Cerro San Cristóbal”.
