Marvin Gaye, ishte zëri i bukur që përcolli mesazhe me tematikë sociale dhe dashurie përmes muzikës së tij tek miliona njerëz nëpër botë. Përveçse këngëtar, ai ishte edhe kantautor dhe producent, me aftësi të jashtëzakonshme për muzikën. Edhe pse pati një karrierë mjaft të bujshme, para se të arrinte në atë pikë, atij iu desh të punonte shumë. Në vitet e 50-ta ishte pjesë e grupit “The New Moonglows”, grup që performonte me artistë të njohur të asaj kohe, e një ndër ta ishte edhe Chuck Berry.
Marvin Gaye gjatë karrierës së tij ka sjellë shumë hite muzikore ose më mirë të themi albume dhe hite të pavdekshme. Nëse duhet shkëputur diçka nga krijimtaria e tij, janë patjetër këto këngë që konsiderohen ndër më të suksesshmet prej fansave të tij dhe kritikëve të muzikës: “Let’s Get It On”, “Hitch Hike”, “Ain’t No Mountain High Enough” (me Tammi Terrell), “I Heard It Through The Grapevine”, “What’s Going On”, “Mercy, Mercy Me” (The Ecology) dhe “Sexual Healing”.
Një fakt interesant që mund të evidentohet rreth artistit Gaye është se para se të këndonte, ai ishte edhe një baterist i shkëlqyer, e ndër emrat më të veçantë me të cilët ka performuar janë: “The Supremes”, “Stevie Wonder”, “The Marvelettes” e shumë të tjerë. Jeta e tij përfundoi në mënyrë tragjike, në prill të vitit 1984, Marvin Gaye u qëllua dhe u vra nga babai i tij biologjik dhe ai vdiq gjatë rrugës për në spital duke qënë se nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra. Atë ditë, bota humbi një yll që la pas një trashëgimi të përjetshme muzikore.
Jeta e tij me shumë gjasë do të realizohet edhe si film duke qënë se është këngëtari dhe njëherazi producenti Dr. Dre që ka marrë përsipër të sjellë në ekranet e kinemasë krijimtarinë e “Princit te muzikës Soul”.
