Artisti i njohur botëror David Bowie, emri i vërtetë i të cilit është David Robert Jones ka lindur me datën 8 janar të vitit 1947 në Londër. Në çdo angazhim të tij, ai arriti të kapë majat, e thënë thjesht duket se suksesi ishte “shtëpia e tij e dytë”. Gjatë epokës së famshme të modës në vitet e 60-ta, ai u gjet përballë grupeve të ndryshme muzikore duke u munduar të dalë në dritë nga hija e tyre. Kështu ai edhe ndryshoi emrin nga David Jones në David Bowie për të shmangur ngatërresën që mund të krijohej me këngëtarin e grupit “The Monkees”. 
“Space Oddity”, një single fantastiko-shkencor, ishte kënga që shënoi fillimin e vërtetë të karrierës së tij, duke arritur në top 10-shen britanike të këngëve më të dëgjuara në vitin 1969. 
Pas këtij suksesi ai vazhdoi të sjellë edhe më shumë muzikë për fansat e tij tashmë të shumtë kudo në botë. Gjatë kësaj kohe publikoi albume shumë të suksesshme si: “Low”, “Diamond Dogs”, “Hunky Dory”, “The Rise and Fall of Ziggy Stardust and Spiders from Mars” dhe “Young Americans”. 
Albumi  i tij i fundit “Blackstar”, i realizuar në vitin 2016, u publikua dy ditë para vdekjes së tij. Në vitet e fundit, Bowie realizoi edhe muzikën “Lazarus”, e cila u dha premierë në vitin 2015, për realizimin e së cilës, këngëtari ishte frymëzuar nga filmi “Njeriu që ra në Tokë”, ku Bowie vetë kishte qenë pjesë e kastit të aktorëve. 
Ikona e muzikës, David Bowie, ndërroi jetë me 10 Janar të vitit 2016, dy ditë pas ditëlindjes së tij të 69-të. Bowie u përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame”, në vitin 1996 ndërsa ka lënë një trashëgimi muzikore mbresëlënëse, e cila përfshin 26 albume.