Franics Albert Sinatra, që në skenë njihet në tërë botën si Frank Sinatra, konsiderohej si një nga figurat më të famshme të shekullit të kaluar. Rivalët e vetëm të tij për këtë titull ishin Bing Crosby, Elvis Presley dhe grupi i famshëm “The Beatles”.
Karrierën e kishte nisur duke kënduar nëpër rrethe të vogla, me pak njerëz, për t’u bërë më pas vokalist grupi, fillimisht me grupin muzikor “The Hoboken Four”, bashkë me Harry James, e më pas me Tommy Dorsey. Sinatra njihet nga fansat e tij edhe si “Ol Blue Eyes” apo sy kaltëroshi.
Ai ka luajtur në më shumë se 50 filma të ndryshëm, madje disa prej tyre shumë të njohur siç ishin: “The Manchurian Candidate”, “From here to Eternity”, “Ocean’s Eleven”, “Guys and Dolls” si dhe “Pal Joey”.
Frank Sinatra është fitues i 10 çmimeve Grammy, 2 çmimeve Golden Globe, e po ashtu ai ka fituar edhe çmime OSCAR, njërin për “Aktorin më të mirë në rolin mbështetës”, për rolin e tij në filmin “From Here to Eternity”, ndërsa një tjetër OSCAR ju dha si çmim nderi, për punën e tij në filmin e shkurtër “The House I Live In”, i cili ishte në mbrojtje të barazisë racore dhe sekularizmit.
Mirëpo Frank Sinatra fitoi edhe shumë çmime tjera të njohura, si: “The Jean Hersholt Humanitarian”, “Screen Actors Guild Life Achievement Award” dhe “Cecil B DeMille Award”. Në nivel kombëtar, ai fitoi çmime, si: “Kennedy Center Honors Lifetime Achievement”, “Medaljen e Artë të Kongresit” dhe “Medaljen Presidenciale për Liri”.
Pavarësisht se Frank Sinatra, kishte paralajmëruar fundin e karrierës së tij që në vitin 1971, nuk ishte e mundur që fansat ta linin atë të qetë. Ai u shfaq në filma dhe seriale të ndryshme deri në vitin 1980. Ndërsa në vitet 1993 dhe 1994, ai publikoi dy albume të quajtura “Duets I” dhe “Duets II”, në të cilat kishte përmbledhur bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë gjatë karrierës së tij.
