Sot kemi përzgjedhur që të ndajmë me ju disa informacione për një vend me një popullsi prej 7.4 milion banorësh, bëhet fjalë për kryeqytetin e Kolumbisë, Bogotën. Bogota është shtëpia e më shumë se 1400 kompanive multinacionale, një vend shumë i zhvilluar nga ana ekonomike. Nëse flasim për muzikën, Bogota në vitin 2013 është emëruar si qytet i muzikës nga vetë UNESCO, me festivale gjatë tërë vitit dhe pikërisht ky është vendi ku duhet të jeni, nëse jeni fans i muzikës live.
Brenda këtij qyteti ka një numër të madh të qendrave tregtare të cilat ofrojnë produkte dhe shërbime nga markat më të njohura botërore. Janë të njohura qendrat “Centro Andino”, “Centro Mayor”, “Santafé”, “Unicentro” dhe “Atlantis Plaza”.
Bogota ka 58 muze, 62 galeri arti, 33 rrjete bibliotekash, 35 skena teatrale, 75 parqe atraksioni dhe më shumë se 150 monumente kombëtare. Në këtë qytet gjendet edhe libraria “The Luis Ángel Arango” që pret më shumë se 6 milion vizitorë brenda vitit.
Në fushat e blerta në Bogota, prodhohet kafeja më e mirë në botë dhe njihet si një ndër vendet me prodhimin më të madh të kafesë.
Nëse jeni në këtë qytet dhe ju shkon mendja tek ushqimi, nuk duhet lënë pa provuar pjatën tradicionale të Bogota-s që njihet me emrin “Bandeja Paisa”. Ky ushqim ka një mori kalorish që vijnë nga përzierja e përbërësve si: orizi i bardhë, fasulet, mishi i viçit, misri, vezët, avokado, mishi i derrit dhe sallami.
Nëse dëshironi një dhuratë të veçantë për ta mbajtur në mend përgjithmonë, mos harroni që Kolumbia prodhon rreth 60% të smeraldëve botërorë, pra është një vend ku do t’i gjeni smeraldet me çmim shumë më të lirë se diku tjetër.
