Diva e kohëve moderne, një ndër vokalet më unike që ka njohur skena muzikore e gjithashtu një inspirim për të gjithë, kjo është artisja për të cilën do të flasim sot në programin “Kënga Juaj” në valët e Radio Shkodrës. Emri i saj i plotë është Beyonce Giselle Knowles-Carter. E lindur dhe e rritur në Hjuston të Teksasit, Beyonce, ishte pjesë e shumë garave të këndimit dhe të vallëzimit, që nga mosha 7-vjeçare. Ajo ishte edhe soliste në korin kishtar.
Në fillimet e saj drejtë një karriere të suksesshme, ajo kishte formuar grupin “Girl`s Tyme”, në të cilin bënin pjesë edhe Kelly Rowland dhe LaTavia Roberson. Ky grup ishte vetëm hapi i parë drejt famës, të cilën vajzat më pas e arritën me grupin “Destiny’s Child”. Beyonce ishte lidere e këtij grupi, i cili arriti suksesin si një ndër grupet me më shumë shitje të albumeve në të gjithë botën.
Muzika ka qenë shoqëria më e mirë për artisten Beyonce, e cila pas suksesit me grupin “Destiny’s Child”, vazhdoi edhe karrierën si artiste solo. Pas hiteve që thyen rekorde të njëpasnjëshme, këngët e saj u bënë frymëzim për miliona njerëz në tërë botën.
Këngëtarja është inspiruar nga më të mëdhenjtë e muzikës dhe që gjithashtu i ka nderuar në performancat e saj. Vlen të përmendet koncerti që iu dedikua veprës së këngëtares së famshme Tina Turner, ku sytë të gjithë i kishin tek Beyonce si pasuese e fronit të saj. Përkundër afërsisë me artisten Turner, Beyonce ka treguar në shumë intervista që këngëtari i saj i preferuar është Stevie Wonder, kurse tek bota e kinematografisë ajo veçon aktorin Tom Hanks si më të preferuarin e saj.
Artistja Beyonce ka edhe një yll në bulevardin ‘Hollywood Walk Of Fame’, prej vitit 2006, si nderim për krijimtarinë e saj. Gjithashtu ajo është klasifikuar si artistja më e paguar për minutë ku vlen të përmendim faktin se Beyonce u pagua plot 1.25 miliona funta, vetëm për një performancë 5 minutëshe të saj.
Sa i përket jetës së saj private mund të themi se Beyonce dhe burri i saj Jay-Z (Shawn Corey Carter) kanë tre fëmijë së bashku: vajza e tyre e madhe Blue Ivy dhe binjakët Rumi dhe Sir.
