Këngëtarja Gwen Stefani ka lindur me 3 tetor të vitit 1969 në Orange County të Kalifornisë. Ajo ka një motër të quajtur Jill dhe dy vëllezër Eric dhe Todd. Ndonëse një vajzë e re, Gwen, kishte filluar punën si pastruese e dyshemeve në një lokal, ndërsa karriera e saj e këndimit filloi në vitin 1986, kur vëllai i saj Eric, së bashku me mikun e tij, John Spencer, themeluan grupin muzikor “No Doubt”.
Përtej aktivitetit të saj me “No Doubt”, Gwen u njoh edhe për karrierën e saj solo. Ajo u bë shumë e famshme për duetet e njohura, si ai me artistin “Moby” me këngën “South Side” si edhe me rap këngëtaren Eve, me këngën “Let Me Blow Ya Mind”, madje ajo u bë artistja e parë në histori që fitoi dy çmime për “Videon më të Mirë në kategorinë e Meshkujve”, dhe “Videon më të Mirë në kategorinë e Femrave”, në “Video Music Awards” në MTV në vitin 2001.
Gwen, regjistroi albumin e saj të parë solo, të cilin e titulloi “Love Angel Music Baby”, i publikuar në Amerikë, me 23 nëntor të vitit 2004, me të cilin arriti shitje mbi 1.000.000 kopje, vetëm katër javë pas daljes së tij në treg. Këtu Stefani nisi një epokë të re në karrierën e saj të bujshme dhe me shumë hite.
Ajo e sfidoi veten edhe si trajnere në garën për talente në vitin 2014 ku iu bashkua spektaklit televiziv “The Voice”, duke zëvendësuar përkohësisht, këngëtaren Christina Aguilera. Më vonë gjatë vitit, ajo tha se po punonte njëkohësisht në një album me grupin “No Doubt” si dhe për një album solo. Ajo punoi me bashkëpunëtorin e saj të “The Voice”, Pharrell Williams, për projektet e saj solo “Baby Don’t Lie” dhe “Spark the Fire”.
Nga Albumi “The Sweet Escape”, kënga e parë nga ky album ishte “Wind It Up” dhe që i mundësoi numrin 3, në top listën muzikore amerikane, “Billboard Hot 200” ndërsa dy këngët tjera më të njohura ishin “The Sweet Escape” dhe “4 AM in the Morning”, të cilat rritën shitjen e albumit që arriti deri në 2 milion kopje të shitura në mbarë botën.
Liderja e “No Doubt” duket se do të jetë e angazhuar përsëri në spektaklin “The Voice”, ndërsa sezoni i 20-të i tij pritet të nisë përgjatë këtij viti.
