Praga, qyteti historik i njohur ndryshe edhe si kryeqyteti i Republikës Çeke, do të jetë destinacioni jonë i radhës për të cilin do të mësojmë disa fakte interesante. Një qytet i njohur për hapësirën e sheshit historik, ndërtesat e stilit barok, kishat gotike dhe orën e famshme Astronomike. Kjo është Praga shumëngjyrëshe, një shtëpi e më shumë se 1.3 milionë banorëve. 

Nga shumë gjëra që mund të bëni brenda këtij qyteti, duket se më e veçanta i është rezervuar fansave të birrës. Praga përveçse konsiderohet ndër qytetet me konsumin më të lartë të kësaj pije alkoolike, gjithashtu ofron banja të birrës, ku ju mund të bëni banjë dhe të laheni në birrë. Për ju që pëlqeni jetën e natës dhe klubet, të shijoni muzikën dhe kërcimin, ju garantojmë se do ta gjeni veten më së miri në këtë qytet, ku një ndër arsyet është edhe klubi i njohur “Karlovy Lazne”, i pozicionuar në qendër të Pragës dhe që njihet edhe si klubi më i madh i natës në Evropën Qëndrore. 

Kur jemi tek gjërat e mëdha, është momenti të evidentojmë Kështjellën e Pragës që për nga hapësira njihet ndër më të mëdhatë në botë. Ajo tërheq më shumë se 2 milionë vizitorë brenda vitit, prandaj nëse vizitoni Pragën nuk duhet asesi ta injoroni kështjellën madhështore.
Pasi t’i keni shijuar pjesët urbane, ndërtesat e vjetra dhe kështjellën e Pragës, mos harroni që ky qytet është edhe shtëpi për shumë parqe të bukura. Kurrsesi nuk duhet t’ju ikë pa vizituar parku “Divoka Sarka”, një hapësirë e bukur rekreative që do t’ju ndihmojë të largoheni nga jeta e qytetit dhe ku mund të shijoni aktivitete të ndryshme si ngjitja malore, noti ose golfi.