Budapesti është kryeqyteti i Hungarisë dhe si qyteti më i madh i këtij vendi, shërben si qendra kryesore politike, kulturore, tregtare, industriale dhe e transportit në të gjithë Hungarinë. 

Në vitin 2009, Budapesti kishte mbi 1 milion e 700 mijë banorë, ndërsa sot, si zonë metropolitane, kryeqyteti i Hungarisë numëron mbi 3 milion banorë. Budapesti konsiderohet si një nga qytetet më të bukura në Evropë, ku pjesa e përcaktuar nga UNESCO si Trashëgimi Botërore, përfshin brigjet e Danubit, Kalanë e Budës, Bulevardin Andrássy, Sheshin e Heronjve dhe hekurudhën nëntokësore “Millenium”, e dyta më e vjetër në botë. 

Ky qytet ka shumë atraksione turistike mes të cilave veçojmë: 80 burimet gjeo-termale, sistemi i ujërave termale shpellore më i madhi në botë, sinagoga e dytë më e madhe dhe godina e parlamentit e renditur si e treta më e madhe në botë. 

Budapesti konsiderohet si një qendër e rëndësishme në Evropën Qendrore duke u renditur i treti (nga 65 qytete) në Indeksin e Tregjeve të Mastercard dhe vlerësohet si qyteti më i përshtatshëm për të jetuar i Evropës Qendrore / Lindore, në indeksin e cilësisë së jetës së EIU (Economist Intelligence Unit). Budapesti është renditur gjithashtu si “vendi i shtatë më idilik i Evropës për të jetuar” nga revista “Forbes”. Kryeqyteti i Hungarisë, tërheq rreth 20 milionë vizitorë, gjatë një viti.