Rruga e këngës shkodrane është e vjetër, madhështore, aq sa kur futesh në këtë tempull, e ke të vështirë të dalësh, sepse e ndien veten në një botë të magjishme, të mbushur me dashuri për jetën dhe njerëzit, midis lulesh shumëngjyrëshe, bukuria dhe aroma e të cilave ua shton hijeshinë e madhështinë, melodive magjepsëse dhe teksteve poetike të mrekullueshme.
Dashuria për këngën shkodrane nuk është nostalgji, por dashuri për jetën, për të bukurën, për çdo gjë fisnike e të lartë që ka krijuar shpirti i ndjeshëm prej artisti, i popullit shkodran.
Kënga shkodrane ka gjallëri e ndjenjë, ka forcë të atillë tërheqëse sa që të bën për vete. Ajo është sa e vjetër, aq edhe e re. Është e vjetër se ka kohë të gjatë që është krijuar, është e re se është një organizëm i gjallë që lëviz gjithnjë, zhvillohet dhe pasurohet vazhdimisht. Është pjesë e shpirtit të kombit tonë.
Sot në programin muzikor “Kënga Juaj” në valët 92 mhz të Radio Shkodrës do të ndalemi në historinë e njërës prej këngëve shkodrane më të njohura dhe më të dashura “Iptida du me fillue”.
Shiroka gjithmonë është quajtur lagje e Shkodrës .Si e tillë edhe ahengun e ka shfaqur njëlloj si pjesa tjetër e qytetit. Prej kësaj ane kanë dalë shumë këngëtarë dhe instrumentistë popullorë që janë bërë të njohur edhe në mbarë qytetin. Ndër ta ishin edhe Jonuz Shiroka dhe Gjon Kraja, peshkatarë për nga profesioni por edhe ahengxhij të njohur të kohës. Të dy shokë të pandarë dhe njëkohësisht edhe këngëtarë. Në vitin 1890 së bashku me Lukë Markun, violinist, si dhe Temo Manin me dajre, krijojnë grupin e parë muzikor në Shirokë. Ja si nisi biseda mes tyre:
“Jam në merak të madh. S’di si do të veprojë i ati?” – i thotë nje ditë Gjoni, shokut të tij të ngushtë. Jonuzi ia dinte hallin. Donte një vajzë, e kishte kërkuar te i ati dhe priste me ankth përgjigjen e tij. Mesa duket ai moment kur do t’i thonin se vajzën: ja tek e ke e na qoftë për hajër, po vononte. Megjithatë e mbante kjo shpresë joshëse, por shpresa shpesh herë edhe të gënjen.
U tremb nga një mendim që papritmas e pushtoi të tërin dhe Gjoni nuk ndenji pa ja thenë Jonuzit:
“Po sikur të mos ma japin?”
Jonizi përpiqej që t’i jepte zemër e shpresë. Por i ati i vajzës kishte mendime të tjera. Kot sa e mundoi djaloshin e shkretë. E dha vajzën në Shkodër, një prirje e përgjithshme e shirokasve. Prandaj erdhi shpejt dita kur Gjonin e ngrahtë e zuri dëshpërimi. Ditët filluan t’i rrëshqasin pa forcë dhe pa jetë. Ai Gjon i shkathët dhe energjik, që ishte lezeti i ahengut nëpër dasma, nisi ta vështronte ndryshe jetën.
Rrinte në breg të liqenit deri vonë. Edhe dielli i dukej i lodhur, i zbehtë ndërsa perëndimi i tij, i zymtë. E ndiente veten të dërrmuar nga pritja e gjatë dhe njëkohësisht të lodhur duke e dashuruar pambarim atë vajzë.
Shoku i tij i ngushtë, Jonuzi i rrinte afer, derisa një dite i thotë kështu:
“Dëgjo, nuk ke rrugë tjetër. Bëj një këngë e shpreh gjithçka ndjen në shpirt”.
Gjonit i pëlqeu ky mendim por nuk e ndjente veten të gatshëm.
“Do ta realizojmë së bashku” – i thotë Jonuzi.
Ditë për ditë takoheshin dhe përpiqeshin të shprehnin atë gjendje që Gjonin po e brengoste gjithnjë. Ai kishte pasur edhe herë të tjera ndjenja të tilla të turbullta, por kurrë kaq të rrëmbyeshme dhe të fuqishme sa kjo. Derisa një ditë, dhembja filloi t’i arratisej:
“Iptida du me fillue,
Çila sytë për me të pa,
Po vijnë shoqet me të kallxue,
Ahti jem moj ka me të vra”.
Dhe kënga e tyre mori dhenë. Të 11 strofat e saj shprehin me forcë ndjenjat e tij të fuqishme deri aty sa në fund shpërthen me një premtim solemn: “Pas kësaj kënge nuk dua të bej më te tjera”.
Dhe mbeti me të vërtetë e vetmja këngë e tyre, si një kujtim i bukur i shoqërisë së ngushtë të Gjonit dhe Jonuzit
Ajo mbeti si një dëshmi e dashurisë së pastër por të pa realizuar ndonjëherë.
Autori: Isa Alibali
