Farrokh Bulsara, u lind me 5 shtator të vitit 1946, për tu bërë i famshëm në tërë botën vetëm 25 vjet më vonë, me emrin e artit Freddie Mercury, si pjesë e grupit “Queen”. 

Ai shfaqi interesin e tij për muzikën që në moshë të hershme, por gjatë viteve të 60-ta, Freddie nisi të angazhohej me disa grupe muzikore. Së pari ishte pjesë e grupit “Wreckage” dhe më pas u bë pjesë e grupit “Smile”, që u kthye më vonë në emrin “Queen”. Albumi i parë i “Queen” do të ishte vetëm një nisëm drejt sukseseve madhore. Grupi fitoi popullaritet edhe jashtë kufijve të Britanisë së Madhe, duke arritur që të renditet edhe në top listat e Evropës, Japonisë dhe SHBA-ve. Në vitin 1979, zunë vendin e parë në Britaninë e Madhe por edhe në SHBA, me këngën “Crazy Little Thing Called Love”. 

Sukseset vazhduan edhe me projektet pasuese ku veçohet kënga “Bohemian Rhapsody”, që u lançua në treg në vitin 1975 dhe përkundër dyshimeve të shumta për shkak të kohëzgjatjes së saj, kënga qëndroi në krye të “UK Top Chart”, për 9 javë të plota. Ndër sukseset tjera që përjetoi Freddie bashkë me grupin e tij “Queen” ishte ajo e vitit 1985 kur grupi do të shfaqej në skenën e Live Aid, një performancë aq e fuqishme sa elektrizoi publikun në të gjithë botën. 

Karriera e Freddie Mercury-t është e lidhur ngushtë me grupin “Queen”, por ai ka punuar edhe projekte me bashkëpunëtorë të tjerë. Një i tillë u realizua në vitin 1996, kur së bashku me Dave Clark, punuan në projektin “Time”. Ai regjistroi edhe me divën e Operës, Montserrat Caballe, këngën “Barcelona”, që u bë himn i qytetit e gjithashtu pjesë e Lojërave Olimpike të vitit 1992. Edhe pse ishte një showman i lindur, një person që rrezatonte energji për publikun, jeta e tij private nuk ishte edhe aq e lumtur dhe me diell. Kishte kohë që kishte kuptuar që ishte infektuar me HIV Aids, por që dashuria për muzikën e ndihmoi të vazhdonte më tej, deri në çastet e fundit të jetës së tij. Freddie Mercury u nda nga jeta me 24 nëntor të vitit 1991, vetëm 24 orë pasi kishte njoftuar publikun e tij që ishte i infektuar me këtë sëmundje.