Artisti i ri shkodran, Legion-i ka treguar në mënyrë të vazhdueshme se muzika mbetet dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Ai numëron disa këngë edhe pse karriera e tij është ende në nisje por kjo gjë nuk e ka penguar të realizojë madje edhe disa bashkëpunime. Ai dallohet për stilin e tij krejt të veçantë por edhe për ngjashmërinë e madhe fizike me këngëtarin e njohur Don Phenom. Si i kaloi ai festat e fundvitit por edhe cilat do të jenë të rejat që pritet të sjellë përgjatë vitit 2021 dhe për shumë të tjera blogu “Pikepamje.com” realizoi një intervistë me këgëtarin shkodran, Legion-in. 
Përshëndetje Legion, si i kalove festat e fundvitit? 
Përshëndetje, mirë jo keq këtë fundvit. Nuk më ka ndaluar koronavirus për të dalë (qesh) pavarësisht se policia po kryente detyrën e vet. Dola shëtitje me shoqërinë por këtë herë ishte normalisht shumë më ndryshe nga vitet e tjera duke qënë se ishim mësuar të shikonim ndërrimin e viteve teksa festohej me fishekzjarre duke e ndritur Shkodrën. Mëgjithatë prapë them mirë pavarësisht çdo gjëje dhe i uroj çdo shqiptari të ketë një vit sa më të mbarë. 
Cila ka qënë gjëja e parë që ke bërë në vitin e ri 2021? 
Duke qënë se ishte çdo dyqan apo lokal i mbyllur, gjëja e parë që kam bërë, të them të vërtetën, ka qënë vajtja diku, vetëm, për tu qetësuar, ca vizione në kokë në mënyrë që të mos dorëzohem për asgjë por edhe t’i jap kurajo më tepër vetes sepse në vendet e qeta pa njerëz gjej gjithmonë inspirim. 
Projekti yt më i fundit është kënga “Gjuj”, kë kërkon të gjuash dhe për çfarë? 
Ky në fakt është projekti i parafundit ndërsa ai i fundit mban titullin “Anna” dhe që është një bashkëpunim me Many-n. Sa i përket këngës “Gjuj” është thjesht gjuj… (qesh). Nuk dëshiroj të gjuaj askënd personalisht por siç është edhe shprehja: “kujt t’i djegi, le ta mbajë”. Kjo shprehje vlen për ato që kanë inat dhe gishtin e mesit të gjithë “haters”-ave ose përndryshe inatqinjve. 
Ke gjuajtur dikë gjatë këtyre ditëve të para të vitit? 
Deri tani jo… (qesh). Nuk kam arsye për të gjuajtur por shpresoj të mos e ketë dikush atë fat sepse sot është truri që shkrep në moment ose njerëzit që të acarojnë dhe që ta sjellin në majë të hundës. Kjo nuk vlen vetëm për mua por për të gjithë. 
A është kënga “Anna” dedikim për dikë në jetën tënde? 
Nëse i referohem emrit Anna jo por fjalët që i përkasin tekstit dhe ndjenja që shprehet brenda këngës po. 
Cila është gjendja sentimentale e Legion-it në këtë periudhë? 
Jam një tip që i përkushtohem shumë personit dhe ndonjëherë bëhem shumë i ndjeshëm madje shpesh më ndodh kjo gjendje. Sot njerëzit janë bërë si ujqërit dhe unë kam një shprehje timen “Legion-i ec vetëm dhe nuk ka nevojë për turmë”. I kam vendosur një limit vetes që kushdo që dëshiron të largohet nuk do ta kem problem. Tani e tutje nuk ka më ndjenja, duhet të ndryshoj këtë vit… (qesh). 
Përse në shumicën e këngëve të tua mbizotërojnë bashkëpunimet? 
Sepse i them vetes çdoherë nëse dikush që ka talent dhe dëshiron të ecë përpara e përkrah dhe nuk e lë vetëm megjithatë në disa këngë që i kam si projekte do të jem solo dhe besoj se njerëzit do t’i pëlqejnë kur t’i dëgjojnë. 
Je penduar për ndonjë nga bashkëpunimet e tua? 
Deri në këto momente nuk jam penduar. Për mua nuk kanë rëndësi klikimet por kushdo që dëgjon këngën ta pëlqejë atë si krijim. Edhe nëse miqtë e mi nuk e shpërndajnë atë në rrjetet sociale, e rëndësishme është ta dëgjojnë dhe ta pëlqejnë dhe kjo më bën të ndihem mirë me veten time përsa kohë e bëj me ndërgjegje të plotë. 
Me cilin këngëtar nuk do të bashkëpunoje asnjëherë? 
Nuk kam arritur akoma në atë stad që të refuzoj ndonjë prej këngëtarëve të njohur por gjithsesi nuk do të bashkëpunoja me ta jo për shkakun e muzikës që bëjnë por më shumë për karakterin që mund të tregojnë ata. Sot vlerësohet interesi dhe muzika është bërë një industri e mbushur me interes prandaj nuk mund të vendos gishtin tek njëri prej tyre dhe të zgjedh dikë në veçanti. 
Cilën konsideron këngën tënde më të suksesshme dhe atë më të dobët? 
Kënga më e suksesshme ka qënë “Për Shok” me Adrianon dhe ka qënë e realizuar me klip por edhe ka patur më tepër mbështetje nga persona të njohur si: Double G, Duda, Unnitick, Genta e “Big Brother” etj. kurse kënga e fundit “Anna” nuk i them dot e pasuksesshme sepse edhe ajo është pëlqyer por nuk e kemi shpërndarë shumë nëpër rrjetet sociale. 
Cilat do të jenë projektet e afërta? 
Nuk po e them më mirë sepse dua që njerëzit të mbeten kureshtarë e të thonë se çfarë po përgatit Legion-i por stili i këngës është “Drill”.