Anton Kola, djali shkodran i cili ka ndërtuar pasionin e tij rreth fotografisë dhe videos (multimedias) prej disa kohësh, duke bërë që punimet dhe realizimet e tij të spikasin për artin e bukur që krijon, ja ka dalë të vlerësohet së fundmi me çmimin e parë në multimedia nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) për kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër.
Krijimi i tij fitues mban titullin “Ad Infinitum” dhe mund të vlerësohet si një prej arritjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të artistit shkodran, Anton Kola. Në fakt duhet thënë se ky film me metrazh të shkurtër u realizua enkas për konkursin e zhvilluar nga IDMC me temën “30 vjet me/pa demokraci”. Ky film fitues dallohet për detajet origjinale që përmban dhe mbi të gjitha për gërshetimin e bukur të tre komponentëve të rëndësishëm të shkrirë në të si një simbiozë e veçantë siç janë: poezia, animimi dhe video.
Autori vetë shprehet kështu për punimin e tij: “Dëshiroj shumë që “Ad Infinitum” me qenë një homazh krejt i përultë për viktimat dhe pasojat e nji regjimi diktatorial, të cilin e njoh vetëm përmes rrëfimeve e dëshmive të librave, dokumentarëve apo familjes”. Ai nuk harron të falenderojë edhe SokolArt dhe Kukla Muklën që besuan në cilësinë e këtij punimi duke shtuar gjithashtu se çmimin e fituar ja dedikon plotësisht familjes së tij.
Klikoni këtu për të parë filmin fitues të Anton Kolës.
©️Marjo Gjini
