Nuk e kam menduar as vetë se sa shumë më shkakton brengë kur shikoj një kafshë të vetmuar dhe endacake, e cila në pamundësi për të gjetur një familje adaptuese ka gjetur një “strehë” diku në rrugët e Shkodrës po edhe aty nuk e lënë dot kalimtarët të qetë se mesa duket ua vret sytë. Megjithatë nuk është ky fokusi i sotëm por një tjetër.
Rastësisht sot po dëgjoja rënkimet e një qeni endacak që ishte munduar të gjente një “strehë” në oborrin e Laboratorit të Analizave por për fat të keq në përpjekje për të hyrë në oborr kishte ngecur në hapësirën mes kolonës ku mbështetet porta kryesore dhe vetë portës. I ndodhur aty pranë, nuk mund të qëndroja indiferent ndaj një situate të tillë dhe menjëherë kontaktova Akilin, policin e shërbimit për të hapur portën e institucionit edhe pse pritshmëritë nuk i kisha të mëdha nëse do të sillte ndonjë rezultat por sidoqoftë gatishmëria e policit ishte mbresëlënëse dhe duhet falenderuar për asistimin e tij ku madje u mundua të lajmëronte edhe persona të tjerë që mund të ndihmonin në këtë situatë të pazakontë.
Sidoqoftë vijoj përpjekjet dhe kësaj here i shkruaj faqes që kujdeset për mbrojtjen dhe strehimin e kafshëve të rrugës “Animals Need Me” dhe menjëherë vihen në lëvizje duke më dhënë kontakte dhe këshilla tepër të nevojshme në ato çaste. Pastaj kontaktoj aktivistët e “Eko Mendje” dhe ndonëse kishin qënë në veprim gjatë një fushate për mbrojtjen e mjedisit, Mirsad Basha u tregua jo vetëm i gatshëm por dërgoi menjëherë edhe një prej aktivistëve të grupit për të ndihmuar.
Falenderimin më të madh e kam për grupin e zjarrfikësve të Shkodrës që menjëherë sapo u telefonova për ndihmë, mbërritën në kohë rekord duke ndihmuar në përballimin me sukses të situatës delikate ku ishte futur “rebeli” katër putrak.
Jam vërtetë mirënjohës ekipit të zjarrfikësve të qytetit, të cilët gjetën kohën dhe treguan gatishmërinë e tyre, edhe pse mund t’i marrim me mend çdonjëri nga ne vështirësitë me të cilat mund të përballen në këtë kohë të vështirë por jo vetëm.
Faleminderit të gjithëve dhe mos hezitoni të ndihmoni çdo kafshë endacake të qytetit dhe sidomos kur janë në vështirësi apo në situata të rrezikshme.
