Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në qytetin e Pogradecit. Në moshën 10-vjeçare do të merrte mësimet e para në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.
Në vitin 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u bashkua me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare asokohe, ku u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë.
Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t`i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një përparim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhej, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike më të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Me 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë.
Vdekja e Nositit
Me zjarr ju flas…, me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr…
Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:
Pa nis ah! gjirin t’a godas…
Dh’ e hap ah!-gjirin më një ças…,
Dh’ i nginj ah! zogjtë-e vdes me gas!..
