Një qytet ku do të jetoni me historinë mijëra vjeçare, një qytet me diversitet të lartë kulturor dhe modern, ky është kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja. Ka një histori të pasur, ushqim të mahnitshëm, njerëz të mirë dhe shquhet si një vend shumë miqësor. Në Sofje jetojnë rreth 1.2 milionë banorë, duke e bërë kështu edhe si qytetin më të populluar në të gjithë Bullgarinë. Vendi vizitohet për shkak të objekteve historike që kanë arritur t’i mbijetojnë kohës. Tek kjo pjesë e lashtë, veçohet kisha “Bojana” që është e mbrojtur nga UNESCO, në të cilën gjenden punime të realizuara nga shekulli i XIII.
Edhe pak më shumë në kohë na kthen kisha “George Rorunda”, me dekore të kohës osmane që datojnë nga shekulli i X.
Nëse doni të shihni pjesën moderne, atëherë duhet të frekuentoni dyqanet dhe hapësirat për rreth sheshit “Vitosha”. Një hapësirë me dyqanet më të shtrenjta në të gjithë Bullgarinë, ku janë të pozicionuara edhe markat e njohura botërore.
Jo shumë larg qytetit, shtrihen malet e bukura ku një ndër ta është mali “Vitosha”, i cili është ndër zonat më të frekuentuara gjatë stinës së dimrit, pasi ofron mundësi për skijim dhe ngjitje malore. Këto përvoja mund t’i shijoni edhe më shumë, për faktin e thjeshtë se nuk keni nevojë të bëni rrugë të gjatë nga qendra e Sofjes për të vajtur atje.
Diçka që do t’ua marrë vëmendjen gjatë qëndrimit në këtë qytet, është kuzhina bullgare. Një ndër pijet më të njohura në këtë vend mbetet edhe kosi bullgar i njohur si “Tarator”, që konsiderohet edhe si shoqëruesi më i shpeshtë i ushqimit në këtë vend.