Grupi latin Azucar Moreno përbëhet nga dy motrat spanjolle Antonia dhe Encarnacion.
Azucar Moreno në shqip përkthehet si sheqer i kafenjtë.
Grupi njihet për sukseset e tij të mëdha kryesisht në vitet ‘80 dhe ’90 ku numërojnë mbi 3 miljon albume dhe këngë të shitura në vendin e tyre duke nisur nga viti 1984 por në këtë shifër nuk bëjnë pjesë albumet e shitura edhe në vende të tjera ku ato patën sukses të madh si në SHBA, vendet latine përgjatë viteve ’90 ku arritën deri në 12 miljon albume të shitur në mbarë botën.
Motrat Antonia dhe Encarnacion të grupit spanjoll Azucar Moreno vijnë nga qyteti Badajoz i Spanjës.
Ato rrjedhin nga një familje me traditë të madhe në muzikë ku mund të veçojmë se gjyshi i tyre ishte një muzikant i njohur por po ashtu edhe babai i tyre ishte një këngëtar dhe tekstshkrues i famshëm. Nuk mbaron me kaq geni i tyre muzikor pasi edhe vëllezërit e duetit Azucar Moreno ishin anëtarë të grupit spanjoll Los Chunguitos dhe gjithashtu xhaxhai i tyre njihej si këngëtari më i famshëm i Porrina de Badajoz.
Dy motrat e grupit Azucar Moreno e nisën fillimisht karrierën e tyre muzikore si zë i dytë shoqërues i vëllezërve të tyre që ishin pjesë e skenës si këngëtarë të kohës.
Por u desh të vinte viti 1982 që ato të zbuloheshin për potencialin e tyre vokal dhe të firmosnin një kontratë me një prej shtëpive diskografike në Spanjë.
Bashkëpunimi rezultoi frytdhënës për grupin spanjoll pasi ato realizuan dy albume në vitet 1984 dhe 1986.
Viti 1988 përfaqëson një epokë të re dhe shumë moderne për duon e famshme Azucar Moreno pasi ato fillojnë të publikojnë këngë të njohura të kohës në një stil të panjohur deri atëherë duke ndërthurur traditën e këngëve spanjolle me një ritëm kërcimi urban të rrymave të ndryshme si: disco, rythm dhe blues por edhe funk dhe tekno, gjë që i solli shumë sukses grupit në mbarë Europën. Në vitin 1989 ato nxorrën albumin e tyre me këngë remix të titulluar “Mix in Spain” dhe që u shoqërua edhe nga një singëll “Debajo del Olivo” që në shqip do të përkthehej “Nën pemën e ullirit” dhe që do të bëhej hit në çdo club në Europë.
Le të flasim tani për këngën që duket se i dha famën grupit Azucar Moreno kudo në botë, Bandido.
Kjo këngë u këndua në Eurovision Song Contest i zhvilluar në Zagreb të Kroacisë nga motrat spanjolle.
Fillimisht performanca e tyre u shoqërua me probleme të shumta teknike në arenën e shfaqjes por kënga ja doli të rrëmbente vendin e parë në Eurovizion në mesin e 22 këngëve pjesëmarrëse dhe jo vetëm kaq por audienca e këngës shkoi deri në 500 mijë shikues në kohë reale.
Pas këngës Bandido, sukseset do ta ndiqnin grupin Azucar Moreno ku këngët e tyre do të shndërroheshin në hite të vërteta duke bërë që të fitonin edhe çmime të ndryshme në Billboard Music Award.
Deri në vitin 2006 Azucar Moreno numëronin mbi 40 këngë dhe plot 13 albume të realizuara në studio. Një prej hiteve më të mëdha të grupit është kënga “Solo se Vive Una Vez” që në shqip mund të përkthehet: “Ti jeton vetëm një herë”.
Azucar Moreno ishte grupi që nuk mbeti pas të tjerëve edhe në aspektin e thashethemeve që bëheshin ndaj tyre në tabloidet e kohës ku ato përfliteshin në mënyrë të veçantë për fushatën e tyre të feminizmit që trajtonin në këngët e tyre por edhe për mbështetjen e madhe që kishin në Spanjë nga komuniteti LGBT ku madje ato i dedikuan edhe këngë këtij komuniteti.
Më 28 Nëntor 2007 njëra prej motrave të grupit Azucar Moreno, Antonia njoftoi për mediat spanjolle se grupi do ta ndërpriste aktivitetin e vet muzikor për shkakun se motra tjetër e saj ishte diagnostikuar më një lloj të veçantë kanceri dhe do t’i duhej t’i nënshtrohej një proçesi kimioterapie.
Në Shtator 2008 u njoftua se Encarna Salazar ishte shëruar plotësisht nga sëmundja e saj por grupi nuk do t’i rikthehej muzikës deri në një moment të dytë në menyrë që ta ndjenin veten plotësisht të gatshme për të qënë para publikut të tyre.
Në Tetor 2013 grupi u ribashkua edhe njëherë tjetër në një prej spektakleve televizivë në Spanjë ku patën edhe një performancë të hitit të tyre Bandido. Në fillim të vitit 2014 grupi njoftoi ribashkimin e vet dhe nisjen e një turi me këngë dhe albume të reja në Spanjë përgjatë atij viti.
Azucar Moreno do të mbeten në histori si një prej grupeve muzikore që bënë revolucion në muzikën spanjolle jo vetëm për ndërthurjen e ritmeve dhe sukseset e panumërta por edhe për adhurimin që kishin fansat për to kudo ku ato shfaqeshin.
©️ Marjo Gjini
