“Scorpions” ose e përkthyer në shqip “Akrepat” është një prej grupeve më të famshme botërore që i përket rrymave hard rock dhe metal.
Grupi nga Hanoveri i Gjermanisë u krijua në vitin 1965 nga Rudolf Schenker. Shpesh ata u konsideruan edhe si krijuesit e të ashtuquajturës baladë e fuqishme. Këngët e tyre më të njohura janë: “Rock You Like a Hurricane”, “Wind of Change”, “No One Like You” dhe “Still Loving You”.
Grupi muzikor rock “Scorpions” ka qenë shumë i njohur në vitet ’80-të. Periudha nga viti 1978 deri në vitin 1992 konsiderohet si periudha e artë e grupit që numëron mbi 110 milionë disqe të shitura në mbarë botën.
Grupi “Scorpions” përbëhej nga 5 anëtarë: Klaus Meine (vokalist) dhe anëtarët e tjerë të bendit: Rudolf Schenker, Matthias Jabs, Francis Buchholz dhe Herman Rarebell.
Gjatë mesit të viteve ’70 me përfshirjen e kitaristit Uli Jon Roth grupi u pozicionua qartazi si pjesë e rrymës hard rock. Me përfshirjen në grup edhe të anëtarëve të tjerë rreth vitit 1978 “Scorpions” ndryshuan shumë nga muzika e tyre duke u afruar drejt rrymës heavy metal të perzier me baladat e fuqishme rock.
Gjatë viteve ’80 grupi pati një impakt të madh jo vetëm para fansave të tyre por edhe nga kritikët e artit të kohës dhe gjithashtu duhet thënë se në këtë periudhë grupi përjetoi edhe komerçalizimin e tij dhe sukseset që i dha ai me disa nga albumet që i përkasin kësaj periudhe si: “Blackout”, “Love at First Sting”, “Best of Rockers ‘n’ Ballads” e shumë të tjera.
Albumi i njëmbëdhjetë i grupit “Scorpions” ishte ndër albumet që njohu suksesin më të madh të grupit.
Pjesë e albumit “Crazy World” publikuar në vitin 1990 ishte edhe kënga e famshme “Wind of Change”.
Kjo këngë e kënduar nga grupi i famshëm gjerman i rock-ut “Scorpions” hyri në mesin e këngëve me të mira të shekullit të kaluar. Më shumë për mesazhin që bartë në vetvete sesa për vetë mënyrën e këndimit. Kënga ka të bëjë me shembjen e komunizmit në ish-Bashkimin Sovjetitk dhe më vonë edhe në pothuajse të gjitha vendet e botës.
“Wind of Change” u shkrua nga vëllezërit Meiner, dy kitaristët e grupit “Scorpions”, pas një vizite në Moskë në vitin 1989. “Scorpions” ishin në fakt grupi i parë i rock-ut që do të luante në Rusi asokohe. Një vit më vonë ata u kthyen edhe njëherë për të luajtur në Festivalin e Muzikës në Moskë. Gjatë kësaj periudhe u hodhën në letër edhe shkronjat e para të hitit “Wind of Change”.
Ata u frymëzuan nga mikëpritja dhe brohoritjet e mijëra rusëve edhe pse të gjithë anëtarët e grupit “Scorpions” ishin gjerman. Klaus Meiner, këngëtari lider i grupit “Scorpions”, me këtë rast, citohet të ketë thënë:
“Të gjithë ishin atje: Ushtria e Kuqe, gazetarë, muzikantë nga Gjermania, nga Amerika, nga Rusia, njerëz nga e gjithë bota në një barkë të vetme. Ishte si një vegim; të gjithë flisnin të njëjtën gjuhë. Ishte një atmosferë shumë pozitive. Ajo natë ishte frymëzimi themelor për “Wind of Change”.
Po në këtë vit kur u shkrua kjo këngë (1989) bota do të ndryshonte përgjithmonë. Historia moderne do ta regjistronte me kujdes fundin e verës së vitit 1989 kur Europa komuniste pushoi së ekzistuari. “Wind of Change” ishte po ashtu një jehonë e rënies se Murit të Berlinit, në fund të verës së vitit 1989.
Muri i Berlinit u ngrit në vitin 1961 dhe ndau Gjermaninë në dy shtete për 28 vjet më radhë. Berlini Perëndimor ishte i lirë. Berlini Lindor nuk ishte. Muri ishte i gjatë mbi 96 milje. Në vitin 1975, u shtuan modifikimet përfundimtare në Mur të ndërtuara nga 45 mijë seksione të betonit, me 12 metra lartësi dhe 4 metra trashësi. Muri kishte 116 kulla vrojtimi, 20 bunker, tela me gjemba, patrulla dhe pengesa kundër automjeteve. Mes shtresave të murit ishte ajo që njihej si zona e vdekjes. Zona mes mureve ishte e shtruar me zhavor për të parë më lehtë hapat e atyre që merrnin guximin ta kalonin murin. Të gjitha këto për të ruajtur një “tokë ku nuk banonte asnjëri”.
Për ironi të fatit, ky bashkim i të gjithë botës në Festivalin e Muzikës në Moskë, nuk do të përfundonte me fundin e festivalit. Në fakt “Wind of Change” u bë pararoja e një ndryshimi të vërtetë politik në Europën Lindore. Edhe pse kënga nuk u shkrua në mënyrë specifike për Murin e Berlinit, ndjenjat e gjithë botës dhe tekstet e Meines, ishin si një himn për këto ndryshime. Muri i Berlinit ishte një ikonë e sundimit të tiranisë dhe varfërisë, i cili qëndronte pas Perdes së Hekurt dhe ishte një nga objektet me të dukshme, më i vërteti dhe më i prekshmi, që preku fytyrën gjithë e njerëzimit.
Në vitin 2005, shikuesit e rrjetit televiziv gjerman ZDF zgjodhën “Wind of Change” si këngën e shekullit. Ajo është kënga me numrin më të madh të shitjeve në Gjermani, dhe shpesh shoqërohet në pamjet e ndryshme të Murit teksa rrëzohet. Në Gjermani kjo këngë është gjithashtu e njohur si kënga e ribashkimit dhe si kënga e rënies së komunizmit në Europën Lindore, në përgjithësi.
Grupi “Scorpions” numëron mbi 110 miljonë kopje këngësh të shitura, 18 albume të realizuara në studio dhe 74 këngë ku vlen të theksohet se 6 prej këtyre këngëve arritën të kapnin vendin e parë në renditjet muzikore të shumë shteteve të ndryshme në botë.
Grupi i famshëm “Rolling Stones” i kanë përshkruar “Scorpions”-at si heronjtë e rrymës heavy metal dhe MTV i quajti ata si ambasadorët e muzikës rock. Grupi “Scorpions” pati ndikimin e vet edhe në grupe të tjera të njohura si: “Guns N’ Roses”, “Metallica” etj.
“Scorpions” arritën të fitonin shumë çmime të rëndësisshme në historinë e tyre si grup ku mund të veçojmë 3 herë fitues të “World Music Awards”, një yll në murin e “The Hollywood Rock” apo prezencën e tyrë në ekspozitën e përhershme të sallonit të “Rock and Roll”. Në vitin 2015 grupi festoi 50-vjetorin e formimit të tyre.
©️ Marjo Gjini
