Vera është stina e preferuar për shumëkënd e natyrisht edhe unë e dua verën por jo domosdoshmërisht e mbaj të privilegjuar në raport me stinët e tjera, kjo për shumë arsye por ndoshta mbetet për t’i cituar në ndonjë shkrim të radhës. 
Vera ka në brendësi shumë gjëra që të joshin… dhe e kam fjalën për verën si stinë sepse ajo si pije po e po.
Edhe vera ime ishte përgjithësisht me lëvizje, dinamike por edhe me impenjime e natyrisht duke u munduar të gjej një kohë të mjaftueshme për komunikim shpirtëror me natyrën.
Ishte në fakt një verë ndryshe nga sa e mendoja referuar planeve që kisha bërë në nisje të vitit por edhe kështu si vajti puna kjo vera pandemike më pëlqeu.
Më pëlqeu sepse ju riktheva disa destinacioneve të mija të preferuara që i kisha vizituar edhe më parë por një forcë e brendshme tërheqëse më bëri që t’i vizitoja sërish ato dhe e kam fjalën për bjeshkët e veriut.
Dikur mendoja se unë i përkas detit duke qënë se që i vogël unë vazhdimisht pushimet verore i konsideroja det ose liqen dhe tek e fundit kështu si unë janë një pjesë e mirë e shkodranëve që natyrshëm kanë një afeksion për ujin, kjo e diktuar edhe nga pozita gjeografike e Shkodrës e rrethuar nga ujrat.
Me kalimin e kohëve peshorja që anonte dukshëm nga deti nisi të ekuilibrohej me destinacionet malore dhe për t’ju rikthyer edhe njëherë stacioneve të kësaj vere pandemike zgjodha të bëj ca ecejake në krahinën e Kelmendit si në Tamarë apo në Lëpushë dhe Vermosh, vende këto që përshkohen në vetëm 2 orë larg nga qendra e qytetit të Shkodrës.
Nëse në Vermosh, natyrës së mrekullueshme i shtohet edhe infrastruktura teknologjike pra ajo e valëve të internetit që mungonin deri në vitin 2016 nuk mund ta themi dot për Lëpushën që ende ngjan me një ishull të izoluar nga komunikimi digjital. Ah edhe diçka tjetër, atë ditë që vajta në Lëpushë nuk kishte energji elektrike dhe bujtinat nuk ishin të përgatitura për t’i ofruar turistëve një kafe të domosdoshme për ta porsa zbret nga makina dhe rrugëtimi i bërë edhe pse ishte fundjavë dhe do të duhej ndoshta të ishin më të përgatitur në këtë drejtim megjithatë edhe në mungesë të shërbimit të kafesë në këtë zonë njeriu mbushet me oksigjen në adhurimin dhe soditjen e peisazhit të pikturuar nga dora e natyrës.
Lumi i Shalës ishte një tjetër destinacion i verës 2020 me bukurinë që të ofron kalimi i një dite fundjave por të mos harrojmë rruga automobilistike deri në Koman është tepër e rrezikshme dhe në gjendje të mjerueshme por e harron shpejt sapo nis lundrimi me anije përreth 1 orë e gjysëm në liqenin e Komanit ku edhe këtu është e nevojshme që të kihet parasysh që veshja e jelekut të shpëtimit do të duhet të kthehet më së pari në një kulturë tonën si popull si abc-ja e një lundrimi të sigurt.
Edhe në lumin e Shalës për natyrën dhe peisazhin nuk po ndalem se nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar bukurinë e saj por një turist ka nevojë edhe për ato valët e telefonit apo të internetit se duhen edhe ato të shkretat. Do të thoni ju se edhe në një vend të tillë aq të bukur nuk bën dot pa telefonin? Në fakt bëjmë si nuk bëjmë se deri më tani pa to jemi kur shkojmë në lumin e Shalës por nuk mund të përligjim izolimin teknologjik gjithmonë me argumentin se duam vetëm të shijojmë natyrën sepse valët e komunikimit nuk duhet të shikohen si një luks por si një domosdoshmëri.
Syri i Sheganit ishte një tjetër ndalesë ku edhe këtu natyrës unike duhet t’i shtojmë ca përmirësime infrastrukturore për ta bërë një destinacion që të mund t’i rikthehemi edhe për herë të dytë, të tretë apo kështu me radhë.
Kishte edhe disa lëvizje të tjera në këtë verë për mua një gjë më mbeti peng: nuk postova dot foto dhe selfie nga plazhet e jugut me jahte dhe pjata të përlara me fruta deti prandaj nuk e di nëse do të konsiderohem jashtë mode këtë verë?!
©️ Marjo Gjini