Një ndër destinacionet e cila po merr vëmendjen e pushuesve këtë periudhë është edhe lugina e Kirit, e cila po shndërrohet në një destinacion turistik. Fshati Prekal është pjesë e kësaj lugine, e cila pozicionohet rreth 26 km larg qendrës së qytetit dhe ofron një bukuri mahnitëse. Ideale për një ditë pushimi dhe pa shpenzime “Lugina e Kirit” është kthyer në një nga destinacionet kryesore të turizmit ditor në qytetin e Shkodrës. Duke parë interesin në rritje, banorët kanë nisur investimet e tyre kryesisht në bare dhe restorante duke ofruar produkte të zonës. Rruga që fatmirësisht është përmirsuar ndjeshëm ka sjellë rritje të numrit të pushuesve aty. 
Edhe pse i vogël, ky fshat ka vlera të mëdha natyrore dhe kulturore. “Lugina e Kirit” nga të dy anët e rrugës është e rrethuar me shkëmbinj të lartë dhe të gjelbëruar, të ofron një panoramë fantastike. Kjo luginë është ideale për të apasionuarit pas hedhjeve nga lartësitë, pasi aty mund të gjesh shkëmbinj të lartë. Një tjetër “mrekulli” që mund të shijohet në këtë zonë janë dhe ujëvarat e shumta që mund të gjenden jo shumë larg njëra-tjetrës, të cilat i dhurojnë natyrës një spektakël madhështie.
Shpella e Zhylës
Ndonëse zona nuk përfshihet në rrjetin e zonave të mbrojtura, aty ndodhet “Shpella e Zhylës” monument natyre. Shpella e Zhylës ndodhet në qendër të fshatit Prekal, në krahun e majtë të shtratit të lumit Kir, në lartësi rreth 400 m. Kjo shpellë është 104 m e gjatë, përbëhet nga disa galeri që ndërthuren me hapësira më të gjëra.
Shpella është e përbërë nga disa galeri që lidhen me njëra tjetrën dhe ndodhet në një gjendje mjaft të mirë për t’u vizituar nga turistët, sidomos gjatë stinës së verës ku sasia e ujit është më e vogël dhe të jep më shumë mundësi eksplorimi.