Megi Cara është studentja shqiptare në Londër e cila nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën e kompanisë Apple.
Fushata e vendosjes së Kosovës në hartën e Apple, e cila bëri bujë të madhe, më në fund e ka arritur qëllimin.
Pas 197175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, ku kërkohej vendosja e kufijve të Kosovës në hartat e kompanisë teknologjike Apple, erdhi edhe lajmi i mirë.
Është vetë Megi ajo që njoftoi se kërkesa u aprovua.
“Bashkimi bën fuqinë! Jam e lumtur të them se Kosova është shtuar në Apple Maps! Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkroi Megi në “Change.org”.
Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë.