Shkodrës nuk i kanë munguar asnjëherë të rinjtë e rritur e të brymosur me talent dhe një i tillë është Anton Kola, student në degën e gazetarisë dhe komunikimit në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Antonin e njohim më së shumti për pasionin e tij për të realizuar fotografi me detaje të theksuara artistike, detaje këto që flasin edhe më shumë se vetë fjalët.

Fotografia nuk është pasioni i tij i vetëm dhe në fakt ajo që tërheq vëmendjen në profilin social të Anton Kolës duket se janë poezitë e krijuara nga ai të shoqëruara me pamje video të realizuara po nga ai vetë dhe një e tillë është “Andërr”.

“Po shkoj e po t’la, me shpresë se një ditë stuhitë kanë me ra n’paqe” janë vetëm disa nga fjalët e dala nga shpirti artistik i djalit të talentuar i cili i ka shkruar këto vargje disa muaj më parë përpara se të shfaqej pandemia e frikshme dhe sot duket sikur çdonjëri nga ne mund të gjejë diçka të ngjashme me realitetin që po jetojmë, të shkruar në frymën e një kërkimi të vazhdueshëm të diçkaje që ka ikur e në fund të fundit nuk kthehet më.

Këto fjalë të ndjera të shkruara nga Anton Kola janë interpretuar nga poeti dhe studiuesi Lisandri Kola përndryshe vëllai i Antonit dhe janë të shoqëruara me pamje të realizuara në një nga rrugët e qytetit në Shkodër.

Për më shumë klikoni videon më poshtë: